Kërkesa e PD për verifikim, Marinaj: Sulm i fabrikuar, ‘skenar’ i shkruar nga ndonjë pasdritare
Kryetari i bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj reagoi sot pas kërkesës që grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm që ta verifikojë atë, pasi sipas tyre preket nga Ligji i Dekriminalizimit.
Në mesazhin drejtuar banorëve të Malësisë së Madhe, Marinaj shprehet se, “sot, si shumica nga ju, edhe unë jam suprizuar nga një deklaratë nga zyrat e njërës prej PD-ve të shumta në qarkullim. Nuk u habita shumë për vazhdimin e valsit të turpit të shpifjeve as ndaj meje, as institucionit që synojnë të ndotin dhe as Malësisë së Madhe që, bashkëmalësorë të mi, po japin prova prej vitesh që nuk e duan. Ose që interesat e tyre, i vendosin para interesit të malësorëve e Malësisë sonë. U habita nga “skenari” i dobët, i shkruar apo i frymëzuar nga ndonjë pasdritare, “skenar” që nxjerr zbuluar edhe qëllimin për të cilin u sajua”.
“Vitin që vjen, ka zgjedhje dhe Malësia e Madhe dhe malësorët, do të votojnë për qeverinë e tyre, sigurisht për të rikonfirmuar këtë mazhorancë dhe kryeministrin Edi Rama. Kjo, bazuar në ato që janë bërë, bëhen e do të bëhen për trevën tonë, që nuk janë realizuar asnjëherë nga 1990 deri në 2015-ën”, theksoi ai.
“Në nivel vendor të Malësisë së Madhe, armiku i njërës prej këtyre PD-ve, është Tonin Marinaj, i votëbesuar tre herë radhazi nga malësorët me votë të palëkundur”, u shpreh më tej Marinaj.
Marinaj shprehu mirënjohjen ndaj qytetarëve të Malësisë së Madhe për mbështetjen e qëndrueshme këto vite, të cilën, theksoi ai, “me mundësitë e aftësitë e mija, me mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, jam përpjekur dhe do të vazhdoj të përpiqem t’ua kthej me punë të mira, në shërbim të komunitetit dhe me përkushtimin tim maksimal”.
“Nuk do të kisha marrë mundimin t’ju përgjigjesha nongratave që po përpiqen të krijojnë një “skenar” shpifjesh në Malësi të Madhe. Por e ndjej detyrim për të gjithë banorët e Malësisë së Madhe, votues ose jo të mijtë, detyrim për Partinë Socialiste, kryetarin dhe kryeministri Edi Rama, për bashkëpunëtorët e mi, për të afërmit, miqtë e të njohurit dhe sigurisht për familjen time të deklaroj: Me neverinë dhe përbuzjen më të madhe hedh poshtë jo vetëm këtë “skenar” të turpshëm, të pabesueshëm e qesharak, por çdo sulm e akuzë të fabrikuar ndaj personit tim, Bashkisë Malësi e Madhe dhe malësorëve të mi”, shtoi ai.
“Jam i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtimin tim. Ofroj bashkëpunimin tim maksimal për t’i lehtësuar punën me një synim të vetëm: Të gjitha të vertetat të dalin në shesh dhe t’i mbyllet goja e shthurur e shpifjes çdo personi, qoftë ose jo anëtar apo drejtues i njërës prej PD-ve”, theksoi kryebashkiaku.
Marinja u shpreh se, “garantoj të gjithë shpikësit, shkruesit e materializuesit e këtij “skenari” të turpshëm, njëkohësisht siguroj të gjithë banorët e Malësisë së Madhe se vitin që vjen, të gjithë këtyre gojështhururve, do t’i japim përgjigjen e merituar, me votën tonë, si edhe herët e tjera”.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm të verifikojë sipas ligjit të dekriminalizimit figurën e kryetarit aktual të bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj.
Kërkesa është firmosur nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi dhe deputetët Dhurata Çupi, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Ramadan Likaj, Sorina Koti, Albana Vokshi, Luan Baçi, Elda Hoti, Edmond Spaho, Emilja Koliqi, Flamur Hoxha, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, Bledion Nallbati dhe Asllan Dogjani.
Sipas shkresës së drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, nga informacionet që disponohen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj, me detyrë kryetar i bashkisë së Malsisë së Madhe, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik.
