Kontratat në shëndetësi, komisioni hetimor seancë dëgjimore me dëshmitarët

Komisioni Hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku në rend të ditës vijon të jetë thirrja e dëshmitarëve, auditues të KLSH.

Dëshmitari i parë ishte audituesi i KLSH-së, Klarenc Xhaferraj, i cili tha se ka marrë pjesë në 4 auditime prane FSKSh, Tatimet dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Xhaferraj tha se “në periudhën 2015-2017 rezultojnë mbi 455 mijë analiza të pakryera.

KLSH ka kërkuar amendim të kontratës për të mos bërë pagesa për shërbim të pakryer”.

“Së dyti, ka pasur probleme, masa e faturimit të 20% TVSH, ndërkohë që këto shërbime duhet të ishin të përjashtuara nga TVSH.

282 mln lekë është efekti nga kjo parregullsi dhe keqzbatim i ligjit.

Masa e rekomanduar nga KLSH ishte të amendohet kontrata, duke saktësuar se kjo duhej përjashtuar nga TVSH”, theksoi Xhaferraj.

Në rendin e ditës është edhe dëgjesa me Bexhet Zeqirin, auditues pranë KLSH-së.

Komisioni Hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në shëndetësi u ngrit pas kërkesës së opozitës.

Bëhet fjalë për kontratën e shërbimeve laboratorike të nënshkruar në 10 prill të 2019-s, kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës të firmosur në 2016-n, kontratën e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale të firmosur në 2015-n dhe kontratën e Check-up të firmosur në janar të 2015-s./ATSH