Manastirliu: Pagat për mësuesit në 950 euro, ngushtojnë hendekun

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka bërë të ditur hyrjen në fuqi të rritjes së rrogave për arsimtarët.

Në takimin e organizuar në shkollën “Kosova”, ajo theksoi rolin vendimtar të mësuesve.

“Duke e çuar pagën mesatare në 950 euro. Një rritje domethënëse do të njohin pagat e mësuesve të Arsimit Fillor dhe atij 9-vjeçar, duke ngushtuar hendekun krahasuar me pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë, duke njohur rolin vendimtar që kanë në formimin e nxënësve mësuesit e arsimit fillor, që në moshën e hershme, për të vijuar me mësuesit e arsimit 9-vjeçar dhe ata të arsimit të mesëm”, u shpreh ajo.

Nga vendimi do të përfitojnë 30 mijë mësues, por në sistem tashmë do të shtohen edhe koordinatorët.

“Do të shtojmë rolet e reja në shkolla, si ai i mësuesit-koordinator për cilësinë e mësimdhënies në shkollë; mësuesin-koordinator për orientimin e karrierës në shkollë, role që vijnë edhe me një klasifikim në mbështetje page, sepse do të jenë mësues të dedikuar, që përmbushin kriteret specifike, që do të funksionojnë brenda shkollës dhe do të angazhohen ekskluzivisht për matjen e performancës dhe cilësisë së mësimdhënies së mësuesve, për të mbështetur planet e trajnimit dhe kualifikimit të tyre”, tha ministrja.

Manastirliu shtoi se me këtë rritje edhe të rinjtë do të inkurajohen për të ndjekur rrugën e mësuesisë.