Bullgaria e kënaqur nga Censusi në Shqipëri, Kirov: Këtu pakica bullgare ndjehet si në shtëpinë e tyre

Deklarimi në census se në Shqipëri jetojnë 7057 persona me kombësi bullgare e ka lënë të kënaqur ambasadorin e këtij shteti në vendin tonë.

Në një vizitë në Kukës ku u bë pjesë e aktivitetit të ndërgjegjësimit shëndetësor Ivaylo Kirov, shprehu vlerësime për punën e bërë, por edhe për respektimin e të drejtave të minoritetit.

“Për rezultatet e censit dua të falenderojë qeverinë shqiptare që krijoi kushte harmonike për të realizuar këtë proçes ku njerëzit ishin të lirë të merrnin vendimin e tyre. Nëse qeveria shqiptare nuk do ti krijonte këto kushte që banorët me orgjinë bullgare të shprehnin lirshëm verdiktin e tyre nuk do të kishim këto shifra që kemi sot. Dhe këtu ka banorë nga pakica bullgare dhe theksojmë që këtu pakica bullgare ndjehet si në shtëpinë e tyre. Sinqerisht jemi shumë të surprizuar nga rezultatet. Shqipëria është vendi më miqësor dhe mikpritës për Bullgarinë dhe Ballkanin”, u shpreh Kirov.

Rezultati i prezantuar të premten solli pakënaqësi te ambasadori i Maqedonisë së Veriut, por përfaqësuesi i Bullgarisë ka mendim të ndryshëm.

“Censi ka si qëllim jo të ndajë njerëzit. Kjo është një nga arsyet që shteti shqiptar bën negociata me Be. Dje ambasadori i BE paraqiti rezultatet e censit. Është shumë e rëndësishme që shteti shqiptar të tregojë numrin e popullsisë, numrin e banesave sepse mbi bazën e këtyre të dhënave do të jetë ndarja e përfaqësueseve shqiptarë në BE dhe të ardhurat që mund të thithë Shqipëria nga fondet e BE. Duhet të theksoj që Censi në Shqipëri është mbikëqyrur nga përfaqësues të BE dhe shteteve të tjera të interesuara”, tha diplomati bullgar.

Sipas INSTAT-it, në Shqipëri jetojnë 2.402.113, ku 91 për qind janë shqiptarë.