Berisha: Misioni ynë shpëton Shqipërinë. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Sot kemi përmbushur misionin e parë, atë të ekspozimit dhe mbrojtjes së të vërtetës
Historik e ka cilësuar ish-Kryeministri Sali Berisha 11 qershorin, ditën kur Gjykata e Apelit, i dha vulën dhe logon, grupimit të drejtuar prej tij, Rithemelimit.
Në fjalën e mbajtur “online” në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha tha se vështirësitë që kaluam e bashkuan edhe më shumë këtë forcë politike, demokratët.
Berisha tha se sa herë të keni dyshime duhet të kujtoni flamurin e PD-së.
FJALA E BERISHES
Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta. Të nderuar drejtues të PD, anëtare dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të kësaj partie.
Fjalën time sot dua ta nis me një falenderim të madh, për secilin nga ju, ky falenderim shkon për ju, për çdo demokrate e demokrat, mbështetëse e mbështetës të PD, kudo që ndodhet sonte.
Ju falenderoj nga zemra për punën tuaj, sakrificat tuaja, qëndresën tuaj, instiktin tuaj të mprehtë kundër të keqes, për guximin e admirueshëm përbëllë presioneve dhe qartësinë tuaj përballë mashtrimeve.
Të gjitha këto atribute tuaja bëjnë që mbledhja e sotme e këtij forumi të ketë një rëndësi të veçantë, që nuk e ka pasur asnjë mbledhje tjetër qysh nga rithemelimi i PD, sepse nëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ne ende nuk kishim realizuar plotësisht asnjërin nga një nga tre objektivat tonë madhorë, sot ne mblidhemi pasi dy nga tre objektivat tonë më madhorë, për arritjen e misionit tonë, ne i kemi përmbushur.
Realizimi i këtyre dy objektivave bën që sot Shqipëria të jetë në një realitet të ri, që deri para pak kohësh do të ngjante i pamundur. Shkurtimisht do ti dedikoj disa fjalë, dy objektivave që ne kemi arritur.
Por së pari do ta nis duke ju rikujtuar edhe njëherë, rëndësinë, qëllimin e misionit tonë. Të dashur anëtare e anëtarë të Këshillit Kombëtar, demokrate e demokratë kudo që jeni.
Në mars të vitit 1992, kur PD erdhi në pushtet herën e parë, në fjalimin e fitores ju drejtova shqiptarëve me këto fjalë: Gëzuar ditën e parë të demokracisë.
Ato fjalë sintezojnë më së miri misionin e atëhershëm të kësaj partie, sepse me atë akt PD ndante epokat për Shqipërinë. Ato fjalë ndanë diktaturën ideologjike nga demokracia.
Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhëshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë.
Kjo miqtë e mi është rëndësia e misionit tonë. Misioni ynë ndan përfundimisht narkoshtetin nga demokracia. Misioni ynë çliron përfundimisht Shqipërinë nga pushtimi më i egër i brendshëm që i është bërë këtij vendi. Misioni ynë shpëton Shqipërinë.
Dhe ky mision sot është më i prekshëm se kurrë, sepse siç thashë, ne tashme kemi realizuar dy nga tre objektivat madhorë që kishim përgjegjësi si forcë kryesore politike opozitare ti përmbushnim para Shqipërisë dhe Shqiptarëve.
Objektivi i parë lidhet me të vërtetën.
Të dashur demokrate e demokratë, anëtarë dhe anëtare të Këshillit Kombëtar, përgëzime për realizimin e objektivit të parë.
Ekspozimi i të vërtetës dhe mbrojtjen e saj si kurrë ndonjëherë më parë.
Kur kemi nisur rithemelimin e PD, e vërteta e Shqipërisë ishte e manipuluar në nivele Ourelliane kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse vetë Xhorxh Oruell ka thënë se, niveli final i komandimit është kur partia të detyron të mohosh të vërtetat e syve dhe veshëve tu.
Edi Rama u thoshtë shqiptarëve se kjo është Shqipëria që duam.
Cila është Shqipëria që duam, vendi në të cilin vota kthehet në krim dhe krimi në votë?
Jo miq, kjo është Shqipëria e armikut të votës së lirë të shqiptarëve. E Edi Ramës dhe jo kurrë e qytetarëve të saj.
A është Shqipëria që duam, Shqipëria e arrestimit të liderit të opozitës pa prova dhe pa akuza?
Jo miq, kjo është Shqipëria e Edi Ramës që në traditën e tij atërore të egër, do një Shqipëri pa opozitë.
A është Shqipëria që duam, Shqipëria në të cilën tre lidër të partive kryesore opozitare, vendosen në persekutim politik? Jo miqtë e mi, kjo është Shqipëria e një narkodiktatori që ka tmerr nga opozita.
A është Shqipëria që duam, Shqipëria e 47% të fëmijëve të uritur, që nuk sigurojnë do kafshatën e gojës, sipas UNICE-f. Jo miq, kjo është Shqipëria e Edi Ramës që shpenzon për udhëtime me avion personal, në dy vite 21 mln euro dhe që blen stolira për oborrin e zyrës së tij, 4 mln euro.
A është Shqipëria që duam, Shqipëria e mjekësisë falas që paguhet me jetën e mijëra e mijëra pacientëve me sëmundje malinje, sëmundje të tjera, apo për shkak të mungesës së mjeteve të sterilizimit se i ka marrë korrupsioni, nuk operohen dot.
Kjo është Shqipëria e Edi Ramës dhe Ogertës së tij, korbës së kovidit të shqiptarëve, që premtoi shëndetësinë falas, por që sot me vjedhjen e tij dhe lukunisë së tij, detyron çdo shqiptar të paguajë nga xhepi 60% të shërbimeve shëndetësore.
A është Shqipëria që duam, kur sot pas 11 vitesh edhe pse u vendos hapja në parim e negociatave, pasi u shty 4 herë me radhë, përsëri prej 4 vitesh ato nuk hapen, sepse Edi Rama ka zhbërë dhe zhbën një nga një arritjet e demokracisë dhe ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet dhe në aleancë me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve, ka vendosur në këtë vend, diktaturën e egër të bandave, narkoshtetit në Shqipëri.
A është Shqipëria në ditët e saj më të mira, kur në 8 vite ka humbur 35 % të popullsisë së saj. Jo miq, kjo është Shqipëria e Edi Ramës, Çubrilloviçit të shqiptarëve që urren qenien, identitetin dhe vetë ekzistencën e kombit shqiptar, më shumë se çdo pushtues tjetër në historinë e gjatë të kombit.
Nëse para dy vitesh kishte shqiptarë që besonin se kjo është Shqipëria që duam, sot e vërteta ka plasur sheshit. Sepse nëse para dy vitesh ishte vetëm PD ajo që tregonte të vërtetën. Nëse para dy vitesh ngjante e ekzagjeruar sllogani ynë; Shqipëria në rrezik, sot e vërteta e narkoshtetit tregohet nga mediat më serioze dhe institucionet ndërkombëtare që e pagëzojnë Shqipërinë si narkoshtet.
Sot RAI3, Bild tregojnë për Edi Ramën dhe vëllain e tij, si të përfshirë në trafik droge. Janë qindra artikuj nga dhjetëra ndërkombëtare që në muajt e fundit kanë bërë këtë punë dhe që për fat të keq, ky do të ishte misioni i mediave shqiptare.

