Xhaferri: Censi, makiazh mbi plagën e shpopullimit, i përpiluar si të ishin të dhëna patronazhistësh

Kreu i FRPD-së, Besard Xhaferri ka reaguar pas publikimit të censusit ditën e sotme. Xhaferri është shprehur se nuk ka asnjë dyshim që të dhënat e censit janë përpiluar si të ishin të dhëna patronazhistësh, pasi objektivi i këtij censi nuk ishte numri  real i popullsisë, por fshehja e plagës së shpopullimit.

"Pas gati 8 muajsh INSTAT ka publikuar rezultatet e censit, sipas të cilit në letra në Shqipëri ka 2 mln e 402 mijë e 113 banorë. Nuk ka asnjë dyshim që pengmarrja 8 mujore e censit lidhet me këtë shifër që nuk përkon askund me realitetin faktik, pasi në Shqipëri fshatra, qyteza dhe qytete janë boshatisur dekadën e fundit si asnjëherë në 100 vite.

Studimi i fundit i The Albanian Policy Center për shpopullimin i publikuar vetëm pak ditë më parë vlerëson se shqiptarët janë kampion të rajonit për emigrimin.  Sipas të dhënave  rreth 790 mijë  shqiptar dekadën e fundit janë larguar vetëm në vendet e BE plus 191 mijë kërkesa për azil, pra një total prej 981 mijë të larguarish. Nuk ka asnjë dyshim që të dhënat e censit janë përpiluar si të ishin të dhëna patronazhistësh, pasi objektivi i këtij censi nuk ishte numri  real i popullsisë, por fshehja e plagës së shpopullimit."