Kroatët kthehen në Zagreb të indinjuar: Ndihemi të mashtruar
Anëtarët e kombëtares kroate u larguan nga kampi i grumbullimit në Neuruppin këtë të mërkurë, të zemëruar për eliminimin e tyre nga Euro 2024.
Skuadra është larguar nga selia e saj Neuruppin të Brandenburgut, për të udhëtuar drejt Berlinit ku kanë marrë një fluturim për në Zagreb.
Rezultatet e së martës e lanë Kroacinë edhe matematikisht jashtë shanseve për t'u kualifikuar si një nga vendet e treta më të mira.
Barazimi 1-1 ndaj Italisë në Leipzig ende godet radhët kroate, të cilët nuk hezitojnë të vënë në dukje gjyqtarin Danny Makkelie, si përgjegjës për daljen e tyre nga Europiani.
Tetë minutat e kohës së shtuar, në të cilat Italia barazoi, konsiderohen të tepërta nga lojtarët, trajnerët dhe tifozët kroatë, si dhe disa vendime nga holandezi.
Duke folur për “Bild”, ish-ndërkombëtari kroat Joe Simunic tha se "ne ndjehemi të mashtruar dhe jemi shumë të trishtuar! Një gjyqtar duhet t'i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë, kështu që ai duhet të jetë një ‘polic’ shumë i keq", pohoi ai.
Trajneri Zlatko Dalic akuzoi drejtpërdrejt UEFA-n dhe FIFA-n. “Kam pesë vite që flas sesi sillen, por askush nuk më ka dëgjuar”, protestoi trajneri në një konferencë të ashpër për shtyp.
