Arkiva marrëveshje me Moldavinë, sigurohet shkëmbimi i dokumenteve dhe dijeve mes dy vendeve
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Arkivave të Moldavisë.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe homologu i tij moldav, Igor Casu, sigurojnë shkëmbimin e dokumenteve, të dijeve dhe të përvojave mes dy arkivave.
Në fjalën e tij për mediat, Bido u shpreh se përmes këtij akti synohet zhvillimi i arkivave bashkëpunëtore dhe të të gjithë rajonit.
“Në arkivat moldave gjenden historitë e emigrantëve shqiptarë dhe të diasporës shqiptare të hershme, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare. Por, edhe më tej se kaq. Moldavia moderne është themeluar nga princër shqiptarë, dokumentet e të cilëve gjenden në arkivat moldave, por që tashmë do jenë në edhe në arkivat shqiptare."
Ndërkaq, Casu e vlerësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, duke vënë në dukje se kanë evidentuar një sërë dokumentesh me interes për Shqipërinë.
Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.
