Shoqërohet Durim dhe Valter Bami nga policia e Dubait, komunikohet urdhri i arrestit i SPAK
Një nga emrat e shpallur në kërkim përmes dosjes Revanshi të SPAK është shoqëruar në polici në Dubai.
Bëhet fjalë për Durim Bamin, për të cilin është bërë dhe shpallja në kërkim me akuzën për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e ish-deputetit te PS-se Arben Ndoka dhe biznesmenit të lojërave te fatit Ervis Martinaj.
Veprimtaria kriminale u konfirmua dhe nga bisedat në "SKY ECC" të zbardhura prej Francës dhe belgjikës dhe që tashmë janë vënë në dispozicion të prokurorisë së posaçme shqiptare.
I shoqëruar në polici dhe më pas i liruar ishte dhe Valter Bami, vëllai i Durimit, ndaj të cilit nuk ka një urdhër-arresti.
Në dokumentin voluminoz që tashmë është paraqitur edhe në gjykatë zbardhen përplasjet e grupeve dhe përpjekjet e eliminimit të kundërshtarëve.
Kështu Bami akuzohet se ka bashkëpunuar me vëllezërit Duka për eliminimin e deputetit socialist, madje në komunikime përmenden edhe shuma që shkojnë deri në 1 milionë euro për vrasje.
Megjithatë nuk është e qartë nëse Durim Bami, do ekstradohet nga Dubai në Shqipëri. Kjo për faktin se nuk ka një marrëveshje bashkëpunimi për të ekstraduar personat në kërkim në mes të dy shteteve.
Po ashtu në Dubai thuhet se janë strehuar edhe shumë personazhe të tjerë të botës së krimit për t’iu fshehur kështu autoriteteve të drejtësisë shqiptare.
