Turizmi, Balla: Policia të shtrihet në të gjithë territorin, nga toka, deti dhe ajri. Angazhim edhe efektivët alpinë
Policia duhet të forcojë prezencën në të gjithë territorin, në det, bregdet, apo pjesën që lidhet me Policinë Alpine, pa lënë jashtë fokusit luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Kjo është kërkesa që ministri I Brendshëm, Taulant Balla ka bërë para punonjësve të policisë së Lezhës, duke shprehur edhe bindjen se 2024-a do të jetë një vit i qetë e do ta certifikojë vendin si një destinacion turistik të sigurt
“Sa i përket sezonit turistik, Lezha është shumë e rëndësishme, për shkak të numrit të madh të turistëve që pret. Fluksin e turistëve që mirëpritëm në vitin 2023, duhet të vazhdojmë ta konsolidojmë edhe gjatë 2024, me fokus të veccantë edhe për sigurinë rrugore.
Trafik i madh, presim 14 milion turistë dhe 4.5 milion automjete në rrugët shqiptare. 4.5 milion automjete është realisht një operacion i vështirë për të garantuar rregullin dhe sigurinë në rrugë. Megjithatë unë jam shumë i sigurt që ne do të kemi një sezon turistik të qetë dhe që do ta certifikojë Shqipërinë si një destinacion turistik të sigurt”, nënvizoi ministri Balla, gjatë një takimi me autoritetet policore në Lezhë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka garantuar në konfirmoi nga Lezha se Policia Shqiptare ka marrë të gjitha masat jo vetëm për mbarëvajtjen e sezonit turistik në gjithë vendin, por edhe mbarëvajtjen e sigurisë jashtë territorit të Qendrës Pritëse të Migrantëve që po ngrihet në këtë qark.
“Drejtori i Përgjithshëm i ka miratuar të gjitha ndërhyrjet strukturore dhe po ashtu nevojat për të garantuar sigurinë në perimetrin e jashtëm të këtyre qendrave pritëse.
Jam shumë i sigurt që DVP Lezhë dhe Njësia e Posaçme, që krijohet pranë saj, për të trajtuar aspektet e sigurisë në perimetrin e sigurisë së këtij institucioni, do të garantohet me seriozitetin që i takon Policisë së Shtetit”, deklaroi Balla.
Trajtimi i duhur financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetet një nga angazhimet kryesore në Ministrinë e Brendshme, ku balla gjatë këtij takimi shprehu gjithashtu gatishmërinë për të zgjidhur një problematikë të vjetër siç është ajo e orëve shtesë të papaguara.


