EMRAT + PAMJET/ NGJARJA - Vrau dy persona në 2011, u kap pas 13 vitesh. Policia zbardh operacionin në Fier: Ishte i armatosur me ...

Policia e Shtetit ka vënë në pranga mbrëmjen e djeshme (4 qershor) 61-vjeçarin e shumëkërkuar, Pjetër Pacani.

Në momentin e arrestimit, policia i ka gjetur Pacanit dhe sekuestruar armë zjarri tip kallashnikov, municion luftarak dhe antiplumb.  

JA ÇFARË THOTË SOT POLICIA E SHTETIT

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, operacioni policor i koduar “Wanted”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

I shumëkërkuari, pjesë e listës me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit.

Ky shtetas është dënuar me 25 vjet burgim, për vrasjen e 2 shtetasve, në vitin 2011.

Në banesën ku u kap në flagrancë, në Fier, Policia gjeti dhe sekustroi 4 armë zjarri, municion luftarak dhe antiplumb.

Si rezultat i informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, dhe i kontrolleve të kryera për kapjen e tyre, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Gjatë operacionit, u kap në një banesë në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe u vu në pranga shtetasi:

Pjetër Pacani, 61 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Kuqe, Laç.

Në banesën ku u kap ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba.

Ky shtetas është përfshirë në listën me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2014, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, sepse më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ka vrarë me armë zjarri 2 shtetas.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Vrasjet në Laç

Pjetër Paçani, biznesmeni i kompanisë së betonit “Paçani Sh.p.k” është dënuar në vitin 2011 për vrasjen e shtetasve Ndoc Zymaj dhe Vlash Gjeçi.

Shkak i këtij krimi të dyfishtë ka qënë një kontratë huamarje mbi 100 mijë euro, e cila nuk është kthyer sipas kohës së parashikuar në kontratë.

Si pasojë e kësaj ka lindur një konflikt, ku palët janë konfliktuar nëpërmjet mesazheve telefonike dhe bisedave, duke ofenduar njëri-tjetrin.

Për pasojë Pjetër Paçani, ka marrë një pistoletë dhe ka shkuar në një lokal të quajtur “Exen” në autostradë, ku pinin kafe shtetasin Vlash Gjeçi dhe Ndoc Zymaj.

Sapo ka hyrë në lokal, Paçani ka nxjerrë armën dhe ka pohuar “…mos lëvizni…” dhe ka qëlluar disa herë në distancë të afërt në drejtim të viktimave dhe duke shqiptuar fjalët” “…më shani prap me nënë e motër…”.

Pas kësaj teksa ka dalë nga lokali, i është drejtuar shtetasit Arben Gjokola “…ti mos lëviz…” dhe ka hipur në automjetin tip “Porsche” dhe është larguar pa u arrestuar ende dhe sot nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë njëri nga viktimat Vlash Gjeçi, teksa ishte ende gjallë ka shqiptuar fjalët “…na preu në besë…”, fakt i cili është shprehur në gjykatë dhe nga dëshmitari Gjokola.

Njoftimi i djeshëm i policisë

EMRAT + PAMJET/ NGJARJA - Vrau dy persona në 2011, u kap pas 13 vitesh.

Arrestohet Pjeter Pacani, i biri i Gjergj dhe i Lize, i datelindjes 27.02.1963, lindur dhe banues ne Fushkuqe, Laç.

Ky person është pjese e listes “Top 50- me te kerkuarve” në shkallë vendi, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqesor Tirane, me vendim Nr.1416 date 05.06.2014, e ka denuar kete shtetas me 25 vite burgim per kryerjen e veprave penale “Vrasje ne rrethana cilesuese” dhe “Armembajtje pa leje” te parashikuar nga Nenet 79/DH dhe 278/2 të Kodit Penal.