Çështja kundër ish-deputetit, del relacioni i Hipotekës: Toka në Sarandë është e Shtetit, Genc Sulo, ka okupuar pronën

Një çështje penale e nisur me shumë ngut në prokurorinë e Sarandës, ka nxjerrë zbuluar dy trashëgimtarët e të ndjerit Alush Sejko, të cilët rezultojnë se nuk kanë dokumente hipotekore për dy sipërfaqe toke që kanë zaptuar në hyrje të qytetit të Sarandës.

Megjithëse dy vajzat e Alush Sejkos, janë kallëzuese në çështjen penale të hapur nga dy prokuroret e Sarandës, Silvana Belishta dhe Valbona Maja, dokumentet zyrtare hipotekore të administruara, tregojnë krejt të kundërtën.

Dy prokuroret e Sarandës janë nxituar duke bërë një analizë të gabuar të situatës dhe fakteve dokumentare, gjë që ka bërë që çështja të shkojë në favor të dy trashëgimtareve të të ndjerit Alush Sejko.

Hetimi i kësaj çështje ka treguar se vetë i ndjeri Alush Sejko, nuk ka pasur certifikatë pronësie dhe asnjë dokument tjetër zyrtar që të vërtetonte pronësinë mbi dy pasuritë me nr. 27/85 dhe pasurinë tjetër me Nr. 27.528 që prokuroria e Sarandës ka objekt hetimi.

Nuk dihet në çfarë rrethanash “misterioze” dhe të dyshimta, i ndjeri Alush Sejko, ka siguruar një vërtetim hipotekor, origjina e të cilit ka treguar se nuk është prodhuar apo të ketë dalë nga zyrat e ASHK-së Sarandë.

Nëse ky vërtetim hipotekor do ishte i rregullt dhe ligjor, atëherë pasuritë e mësipërme do ishin në kartelat hipotekore në emër të Alush Sejkos dhe jo në emër të “Shtetit”.

Një relacion që mban datën 14 nëntor 2022, tregon gjendjen juridike të dy pasurive të mësipërme, ku në asnjë rresht nuk përmendet Alush Sejkon si pronar legjitim, i dy pasurive të okupuara në Sarandë.

Sipas këtij relacioni nënvizohet se pasuria Nr. 27/85 është truall në masën 3502 m2, nga e cila sipërfaqja prej 2847 m2 është pronë “SHTET. Kjo pasuri thuhet në relacion okupohet nga Genc Sulo dhe ka një ndërtim pa lejë sipas shënimit të seksionit përkatës të KPP-së.

Çështja kundër ish-deputetit, del relacioni i Hipotekës:

Okupatori i pronës shtetërore Genc Sulo, është dhëndëri i të ndjerit Alush Sejko, i cili ushtron biznes me material ndërtimi në këtë pronë duke dhënë ambiente me qira dhe kompanisë së hidrosanitareve “Brunes”.

Në relacion jepet dhe gjendja juridike e pasurisë me Nr.27/100 e cila ka një sipërfaqe 1898 m2 dhe është rrugë shtetërore. Dokumenti tregon qartazi se okupuesit e kësaj prone shtetërore janë trashëgimtarët e Alush Sejkos, të cilët vijojnë ta mbajnë këtë pasuri dhe ushtrojnë biznes në të.

Ndërkohë vetë ish-deputeti i PD dhe njëherësh biznesmeni Gani Hoxha, ka hyrë pjesërisht në këtë pasuri në vitin 2003 duke lidhur një kontratë investimi me Alush Sejkon.

Gani Hoxha, rezulton të jetë mashtruar nga Alush Sejko i cili në atë kohë kishte vetëm një vërtetim hipotekor, por jo certifikatën reale të pronës.

Rasti në fjalë lidhet me këtë objekt që shihni në këtë foto dhe ndodhet në qytetin e Sarandës.

Çështja kundër ish-deputetit, del relacioni i Hipotekës:

Pallati ka filluar të ndërtohet pas miratimit të lejes të lëshuar në vitin 2003 nga Bashkia e Sarandës, e cila miratoi ndërtimin e një pallati 9-katesh buzë rrugës që të çon në Qafë-Gjashtë.

Investitori i kësaj pasurie është ish-deputeti i PD Gani Hoxha, i cili në këtë periudhë lidhi një kontratë investimi me Alush Sejkon,pronarin që pretendonte se kishte dokumentet e tokës.

Kontrata është lidhur përmes shpërblimit 22 për qind të investimit që biznesmeni Gani Hoxha, duhet ti jepte Alush Sejkos. Mbi bazën e dokumenteve që posedonte Alush Sejko, (vërtetim pronësie), kompania e Gani Hoxhës, “Super Beton Mati” ka aplikuar në vitin 2003 për tu paisur me lejë ndërtimi në bashkinë e Sarandës.

Prokuroria e Sarandës pretendon se kjo lejë nuk gjendet në arkivën e Bashkisë së Sarandës, ndërkohë leja disponohet nga biznesmeni Gani Hoxha,

Sipas Gani Hoxhës, leja është e rregullt dhe është lëshuar nga zyrtarë të bashkisë Sarandë, por kësaj leje i ka përfunduar afati i zhvillimit në teren, për shkak të një anomalie të krijuar nga linja e tensionit të lartë në Sarandë.

“…leja e ndërtimit ka dalë nga zyra e Urbanistikës në bashkinë Sarandë dhe objekti ka filluar të ndërtohet.

Ndërtimi ka vijuar deri në katin e tretë, siç duket dhe në gjendjen që është sot.

Por për shkak se sipër kësaj pasurie kalonte linja e tensionit të lartë që furnizon Sarandën me energji elektrike, punimet janë ndalur me qëllim zhvendosjen e linjës së korrentit dhe vijim më tej të punimeve…”- thotë ish-deputeti i PD-së, Gani Hoxha.

Në këtë kohë kompania e biznesmenit Gani Hoxha, ka aplikuar në institucionet e kohës, për të bërë zhvendosjen e linjës së tensionit të lartë dhe mandej rifillimin e punës për ndërtimin e pallatit.

Pas shumë peripecive është mundësuar zhvendosja e linjës së tensionit të lartë nga OSHE Sarandë, duke mundësuar ndërtimin e objektit.

Çështja kundër ish-deputetit, del relacioni i Hipotekës:

Por si pasojë e kohëzgjatjes së punimeve për zhvendosjen e linjës së tensionit të lartë, paralelisht ka skaduar dhe afati i lejes së ndërtimit të pallatit.

Pikërisht këtu filluan dhe problemet e para me këtë objekt dhe njëkohësisht edhe me pronësinë reale të sipërfaqes së tokës prej 1 mijë metra katror, ku ishte vendosur ndërtimi i gjurmës së pallatit.

Për rinovimin e lejes së ndërtimit nga ana e Bashkisë Sarandë është kërkuar certifikata e pronësisë së tokës dhe karta e rifreskuar e pasurisë.

Alush Sejko, që pretendonte se ishte pronari nuk dispononte asnjë nga këto dokumente, por vetëm një vërtetim hipotekor të lëshuar nga hipoteka e Sarandës.

Të ndodhur në këtë udhëkryq dhe labirint pronësie, Gani Hoxha, është interesuar në hipotekën mbi pronarin real të kësaj pasurie, ku pas shumë dokumentesh të mbledhura rezultoi se Alush Sejko nuk ishte pronari real i pasurisë, pasi toka ku ka nisur të ndërtohet pallati ishte sipërfaqe “SHTET”.

Këtu binte dhe kontrata e investimit që Gani Hoxha kishte bërë me Alush Sejkon, i cili nuk ka dokumente mbi këtë pasuri. Gani Hoxha, ka aplikuar në ASHK-në Sarandë sipas ligjit në fuqi të legalizimit, duke mundësuar legalizimin e objektit në ndërtim e sipër.

Të gjitha pagesat mbi 50 milion lekë të vjetra për detyrimet në shtet janë paguar konform ligjit nga Gani Hoxha, si çdo qytetar që ka bërë procedurat e legalizimit të objekteve pa lejë.

Në 17 nëntor 2022 Agjencia Shtetërore e Kadastrës Sarandë ka miratuar lejen e legalizimit të objektit në Sarandë dhe disa kohë më vonë hipoteka e Sarandës, ka vijuar procedurat për pajisje me certifikatë pronësie të Gani Hoxhës.

Por nuk ka kaluar shumë kohë dhe drejtuesja e hipotekës Sarandë Aida Demi, e njëjta që kishte nxjerë hipotekën në rrethana të paqarta ka vendosur të kufizojë pronën, me një urdhër të dytë.

Sot e kësaj dite prona vijon të jetë në emër të Gani Hoxhës, por me masë kufizimi të vendosur nga vetë hipoteka Sarandë. Ndërkohë biznesmeni thotë se këtë vendim e ka kundërshtuar në Gjykatën Administrative Lushnjë.

Por, paralelisht me masën kufizuese të vendosur në hipotekën e Sarandës, një çështje penale kishte filluar të ngrihej në prokurorinë e këtij qyteti.

Dy prokuroret e reja Silvana Belishta dhe Valbona Maja, kanë marrë në dorë një kallëzim të dy vajzave të Alush Sejkos, pasi ky i fundit kishte ndërruar jetë dhe ato kanë hyrë në lojë si trashëgimtare.

Vajzat pretendojnë se prona e tyre është tjetërsuar nga Gani Hoxha, por në fakt as dy vajzat dhe as babai i tyre nuk ka qenë pronar i sipërfaqes së tokës prej 1 mijë m2.

“…Nëse do ishin pronare mund të nxjerrin një dokument të vetëm dhe real…”-thotë Gani Hoxha nga “arresti i shtëpisë” ku ndodhet. Sipas tij nëse do kishte kartelë hipotekore babai i dy vajzave Alush Sejko, ai do kishte mundësuar rinovimin e lejes së ndërtimit dhe nuk do ishte impenjuar dhe sorollatur në legalizimin e objektit.

Hoxha sqaron se gjithçka po iniciohet politikisht dhe financiarisht nga njëri nga dhëndëri i të ndjerit, Alush Sejko.

Tashmë çështja ka hyrë në një proces gjyqësor, ku pritet që ditët në vijim Gjykata e Apelit Tiranë të marrë në shqyrtim kërkesat e personave të proceduar, të cilët kërkojnë heqjen e masave të sigurisë “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” të vendosura nga gjyqtari i Sarandës, Fatmir Ndreu.