Kuvend, Balla: Duhet një politikë e re penale, dënim ekzemplar për vrasjen e policit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend nevojën për një politikë të re penale, duke shprehur bindjen se sistemi i drejtësisë do ta bëjë këtë.

Duke iu referuar ngjarjes së fundit në Fier, ku humbi jetën një punonjës policie, ministri tha se ndëshkimi i drejtësisë për këdo që ngre dorë kundër punonjësit me uniformë, duhet të jetë i ashpër, siç parashikohet në Kodin Penal.

“Dua të ndaj dhe të mirëpres nga ju mbështetjen që ka sot nevojë Policia e Shtetit. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjë sot shoqërinë te reflektojë për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes publike që duhet domosdoshmëri t’i japim Policisë së Shtetit si garantuesi i vetëm i sigurisë në mënyrë të përditshme. Kush nuk i bindet urdhrit, thirrjes së Policisë së Shtetit, kush kundërshton me forcë, guxon ta fyej, sulmojë, ta kanosë, ta godasë, apo larg qoftë, ti marrë jetën, ndërsa është në ushtrim e detyrës, apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë sot të qartë që toleranca e Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese dhe drejtësisë duhet të jetë zero”, tha Balla.

“Nëse qytetari mendon se ka të drejtë, ndërsa punonjësi i Policisë e ka gabim, qytetari ka të gjithë të drejtë, madje ka dhe të gjithë mekanizmat ta apelojë vendimin e Policisë në rrugë administrative, gjyqësore. Por çdo veprim kundërshtimi nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet. Thirrja e punonjësit të Policisë është thirrje për t’u zbatuar. Kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të Policisë, të marrë avokatin”, tha Balla.

“Kuvendi e ka bërë detyrën e vetë, se ka miratuar aktet ligjore. Na duhet të vendosim një standard të ri sa i përket autoritetit të punonjësit të Policisë së Shtetit. Ne, Kuvendi dhe qeveria e bashkë me shoqërinë, nuk duhet të pranojmë kurrsesi dhe raste ku përfshihen edhe deputetët kur shkojnë të shtyhen të fyejnë, të kërcënojnë, të kanosin me dhunë dhe duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Është koha pra që të jepen shembuj konkret të zbatimit sipas germës dhe frymës së Kodit Penal duke vendosur një standard të ri, ndaj kujtdo që ngre dorë ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit. Kjo duhet të ndodhë kudo, e pa asnjë hezitim”, u shpreh Balla.

Balla po ashtu i bëri thirrje drejtësisë ta hetojë me paanshmëri, ngjarjen e fundit dhe të japë një dënim ekzemplar.

“Na duhet një politikë e re penale, e cila të zërë vend në këtë drejtim dhe kam besim se sistemi i drejtësisë do ta bëjë. Mosbindja ndaj urdhrave të ligjshëm punonjësve të Policisë së Shtetit përbën kundërvajtje penale, e cila për ata që nuk e dinë, nëse një punonjës policie të bën thirrje ose të kërkosh të largohesh, të mbash distancën mosbindja dënohet me burgim deri në 3 muaj; nëse e kundërshton punonjësin e policisë me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën sipas ligjit, dënimi shkon deri në 1 vit burg; e kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose duke ushtruar dhunë fizike ose më shumë se një herë, mund të dënohesh deri në 7 vite burg. I kemi shkruar dhe miratuar ne në Kod Penal, Kuvendi i Shqipërisë”, deklaroi ministri i Brendshëm.

“Të dashur motra e vëllezër deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Policia e Shtetit i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri, pavarësisht qeverive që janë në pushtet, atdheut dhe qytetarëve. Janë ndeshur, ndeshen dhe do të vazhdojnë të ndeshen me kriminelë e keqbërës, dhe një pjesë prej tyre kanë dhënë dhe jetën për të mbrojtur jetët dhe sigurinë e qytetarëve. Policia ka derdhur gjak në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i Policisë së Shtetit është vetë gjaku i shtetit”, tha Balla.