U RRITËN QIRATË/ Frenohet shtrenjtimi në shitje i banesave. 26% e tyre u blenë nga të huajt

Shtrenjtimi i çmimit të shtëpive u frenua në fund të vitit të shkuar. Banka e Shqipërisë raporton një ngadalësim të rritjes së vlerës të pronës, por nga ana tjetër janë qiratë ato që po kushtojnë më shumë. Ndërkaq shënohet një dyndje e të huajve për të pasur një shtëpi kryesisht në Tiranë dhe bregdet

Çmimet e apartamenteve me qira u shtrenjtuan më shumë se vlera e shitjeve gjatë 6 mujorit të dytë të 2023-it.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë shkak për këtë është bërë orientimi i kërkesës më të lartë.

Në shitje çmimi vijoi të rritej, por me një ritëm prej mesatarisht 7.6 për qind më të ulët se periudha e mëparshme.

Tirana kishte frenimin më të fortë sa i përket shtrenjtimit të banesave me 10.1%.

Megjithatë, siç thuhet në raport kompanitë real state kanë shënuar një ecuri të mirë të aktivitetit të tyre me nënshkrimin e kontratave në të dy rastet.

Interesi nga të huajt për të blerë ndërtesë në vendin tonë sërish rezulton në rritje kryesisht në zonat bregdetare, por edhe në kryeqytet.

Jo rezidentët zënë gati 26% të blerjes së ndërtesave në vendin tonë vetëm gjatë kësaj periudhe, krahasuar me periudhën paraardhëse. Prej tyre 2 e 3 e tyre rezultojnë shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë të dhënat tregojnë se për financimin e blerjes së shtëpive në subjektet e tregtimit të pronave 60% e tyre janë financuar me kredi në sektorin bankar.