Studime në USA, Kapaj: Programi “Fulbright” nxit ndërkombëtarizimin e universiteteve
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi sot, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”.
E pranishme gjatë diskutimit të këtij projektligji, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit Ana Kapaj, tha se “ky është një program i iniciuar që në viti 1945 ku përfshihen rreth 150 vende në nivel botëror, që synojnë shkëmbimin e eksperiencës në fushën e arsimit, shkencës dhe kërkimit”.
Sipas saj, Programi “Fulbright” ofron studim për një periudhë 2-vjeçare për studentët shqiptarë, të cilëve u mundësohet qëndrimi në një universitet në SHBA.
Gjithashtu, u jep mundësi studiuesve të rinj apo me më shumë përvojë, lektorëve të universitetit dhe ekspertëve nga institucione akademike dhe kërkimi të bëjnë kërkime dhe/ose të japin mësim në një universitet në Shtetet e Bashkuara, me kohë zgjatje qëndrimi 3 deri 9 muaj.
Kapaj bëri të ditur se, në 5 vitet e fundit përmes këtij programi kanë përfituar 10 studentë shqiptar. Ndërkohë që është shpallur thirrja për vitin akademik 2024-2025 dhe janë shpallur dy studentë fitues.
Sipas saj, ky projektligj përputhet me synimet e qeverisë shqiptare për një arsim të lartë cilësor në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, ndërkombëtarizimit të universiteteve, si dhe plotësimit të nevojave reale të tregut të punës.
“Duke nisur nga suksesi që pati programi i shkëmbimit akademik “Fulbright” në institucionet arsimore, shkencore e kërkimore dhe nga interesi i lartë i profesionistëve akademikë, studiuesve, pedagogëve e studentëve për këtë program, ka lindur nevoja e rinovimit të memorandumit edhe për 5 vitet e arshshme”, u shpreh Kapaj, teksa vuri në dukje se, në zbatim të kësaj marrëveshje, qeveria shqiptare do të financojë rreth 165 mijë usd në vit për mbështetjen e studentëve që studiojnë në SHBA.
Programi i shkëmbimit “Fulbright” është një vlerë e shtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik, SHBA, në fushën e arsimit, shkencës dhe kërkimit.
Ai gjithashtu inkurajon përmirësimin e kualifikimit të studentëve dhe akademikëve shqiptarë, si dhe stimulon projektet e përbashkëta shkencore mes dy vendeve tona.


