1 MAJI ME PROTESTA/ Mësuesit dalin në rrugë: Qeveria, masa urgjente për të përmirësuar cilësinë e arsimit
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në Tiranë po përkujtohet me protesta.
Sindikata e Pavarur e Arsimit ka zgjedhur që në ditën e punëtorëve të dalin në protestë, për të parashtruar kërkesat dhe pakënaqësitë e mësuesve.
Duke mbajtur pankarta në duar ku shkruajnë “Stop burokracive”, “Na jepni shpërblimin e fundvitit”, mësuesit kërkojnë që 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për arsimin, një premtim ky i kryeministrit Edi Rama, i pambajtur sipas mësuesve.
Mësuesit kërkuan më shumë vëmendje nga shteti duke apeluar për pagë më të larta dhe rritje të cilësisë së arsimit.
“Kërkesa kryesore është që qeveria të marrë masa urgjente për të përmirësuar cilësinë e arsimit në vend.
Të dy Sindikatat e Arsimit kemi kërkuar vazhdimisht në komisionin parlamentar të Arsimit në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, në të gjitha takimet që kemi bërë me ministrinë dhe në të gjitha mediat që pa një buxhet 5 % të GDP-së për Arsimin, nuk mund të ketë arsim cilësor dhe nuk mund të ketë mësues të mirëpaguar.
Nëse nuk do të ketë paga dinjitoze atëherë profesioni i mësuesit nuk do të jetë një profesion i kërkuar nga të rinjtë.
Ju e dini që të gjithë sot ata që shkojnë në degët e mësuesisë sot janë maturantët me mesataret më të ulëta.
Përgjithësisht të gjitha kërkesat tona, ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e vende të punës së mësuesve dhe me përmirësimin e kushteve të punës janë marrë në konsideratë.
Por, nuk mund të ketë një realizim të plotë të këtyre kërkesave pa pasur një buxhet për arsimin”, u shpreh njër prej përfaqësuesve të Sindikatës së Arsimit për mikrofonin e “Ora News”.


