Ekonomia u rrit me 3.8%/ Shehu: U rrit konsumi dhe investimi në sektorin privat. Bankat fituan 50% më shumë se 2022
Rritja e konsumit, turizmi dhe investimet private kanë qenë motor i rritjes me 3.8 për qind të ekonomisë shqiptare vitin e shkuar. Banka e Shqipërisë raporton një rritje të fortë edhe të fitimeve të institucioneve financiare
Viti i shkuar solli një frenim të ekonomisë në mjaft shtete të bashkimit evropian.
Sa i përket Ballkanit raportohet e kundërta, ndërsa Shqipëria vijoi të ketë një shtesë prej 3.8 për qind.
Kreu i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, Klodian Shehu, shprehet se ky është një rezultat i kënaqshëm.
Klodian Shehu: “Është vlerësuar një rritje me rreth 3.8 për qind dhe kjo rritje është mbështetur kryesisht nga konsumi dhe rritja e investimeve private, por edhe nga performanca shumë e mirë e sektorit të turizmit”.
Konkurrenca mes bankave ka sjellë dhe ulje të normave të interesit.
Klodian Shehu: “Normat e interesit kryesisht kanë ardhur në rënie të influencuara nga normat e interesit të titujve afatshkurtër”.
Megjithatë, bankat e nivelit të dytë kanë shënuar fitime të larta
Klodian Shehu: “Është e vërtetë se sektori bankar ka pasur një vit shumë të mirë për sa i takon fitimeve gjatë vitit 2023. Mund të thuhet se fitimi ishte rreth 50 % më i lartë se gjatë vitit 2022”.
Po ashtu, Banka e Shqipërisë shprehet se ka një rritje të nivelit të punësimit dhe ulje të papunësisë.


