DEBATE gazetarësh për Veliajn/ Hitaj: Gjë e mirë që shkoi në SPAK, por duhet të shmangen gjyqet publike. Reagon Blushi
Për rreth 7 orë kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u përball në SPAK me hetuesit e posaçëm të cilët vijojnë intensivisht hetimet për dosjen e incineratorit trë Tiranës, fakt ky që u pohua edhe nga vetë Veliaj në oborrin e SPAK, sapo përfundoi seancën me prokurorët e këtij institucioni.
Ndërkaq, pasdite opozita vijoi protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e Veliajt, jo për çështjen e incineratorëve, por për skandalin e korrupsionit me kompaninë “5D”, hetimet që kanë çuar në akuzë disa prej drejtorëve dhe zyrtarë të lartë vendorë të kësaj bashkie.
Pikërisht kjo ishte dhe tema e emisionit të kësaj të marte “Ora e Betit” në “Ora News”.
Gazetari Arbër Hitaj theksoi se:

“Është një gjë e mirë që z. Veliaj shkoi sot në SPAk dhe unë jam i mendimit që të gjithë zyrtarët e dyshuar apo të akuzuar publikisht duhet të shkojnë atje. Sepse në fund të ditës këto institucione për këtë janë krijuar.
Por duhet ta ndajmë se ka dy lloje procesesh: proces gjyqësor, dhe proces publik apo politik. Pra, nuk duhet t’i bëjmë askujt gjyq publik. Por çdo vjedhje dhe çdokush që e lka bërë atë në Tiranë apo kudo të në Shqipëri të dënohet dhe të shkojë në burg”, u shpreh gazetari Arbër Hitaj, deklaratë kjo që shkaktoi debate dhe replika mes tij dhe anëtarit të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës Tedi Blushi.
ÇFARË NDODHI NË SPAK?
Në ambientet e SPAK mbërriti pak para orës 09:00 të paradites, ku u prit me protesta të disa demokratëve.
Do të duhej të kalonin së paku 45 minuta që të zhvendosej në ambientet ku dha dëshminë për çështjen e incineratorëve për të dalë prej aty rreth orës 17:00.
Për mediet ai shprehu vlerësimin për punën e prokurorëve dhe drejtësisë së re, të cilët madje i cilësoi edhe si kolegë të tij.
Veliaj pranoi se në institucion ishte për çështjen e kontratës së incineratorit, për të cilin tha se iu kërkua të paraqiteshin dokumente shtesë.
Për incineratorin e Tiranës, SPAK ka arrestuar drejtorin e Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha, ndërsa duket se hetimet ende vijojnë.
Për të njëjtën dosje nën akuzë është edhe ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj tashmë në arrati, aksionerët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTE


