7 orë në SPAK, Marka: Jo vetëm për “5D”në dhe incineratorin, Veliaj duhet të hetohet edhe për ndërtimet
Për rreth 7 orë kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u përball në SPAK me hetuesit e posaçëm të cilët vijojnë intensivisht hetimet për dosjen e incineratorit trë Tiranës, fakt ky që u pohua edhe nga vetë Veliaj në oborrin e SPAK, sapo përfundoi seancën me prokurorët e këtij institucioni.
Ndërkaq, pasdite opozita vijoi protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e Veliajt, jo për çështjen e incineratorëve, por për skandalin e korrupsionit me kompaninë “5D”, hetimet që kanë çuar në akuzë disa prej drejtorëve dhe zyrtarë të lartë vendorë të kësaj bashkie.
Pikërisht kjo ishte dhe tema e emisionit të kësaj të marte “Ora e Betit” në “Ora News”.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë Jani Marka nënvizoi se:
“Ne duhet të merremi fare me retorikën e z. Veliaj në dalje nga SPAK-u dhe me atë çfarë thotë ky mashtrues ordiner, por duhet ta vëmë gishtin në plagë.
Duhet ta vëmë gishtin tek incineratorët, një aferë skandaloze, plagë është dhe afera “5D” edhe kjo një aferë ulëritëse. Por pse jo, Erion Veliaj duhet të hetohet edhe për lejet e ndërtimit dhe hapësirat publike.
ai duhet të hetohet për shumëçka në gjykimin tim, pasi Bashkia e Tiranës nuk është më një institucion publik dhe në shërbim të qytetarëve, por është shndërruar në një organizatë kriminale që udhëhiqet nga një njeri i përveçëm që është Erion Veliaj.
Paraqitja në SPAK e tij pa dyshim më gëzon, por ajo që më trishton është përgjigja e z. Dumanit, pasi ne presim që Veliaj të hetohet jo si person në dijeni, por i përfshirë drejtëpërdrejtë në këto afera të mëdha korruptive. Ndaj kjo është prova e SPAK-ut”, theksoi Jani Marka
ÇFARË NDODHI NË SPAK?
Në ambientet e SPAK mbërriti pak para orës 09:00 të paradites, ku u prit me protesta të disa demokratëve.
Do të duhej të kalonin së paku 45 minuta që të zhvendosej në ambientet ku dha dëshminë për çështjen e incineratorëve për të dalë prej aty rreth orës 17:00.
Për mediet ai shprehu vlerësimin për punën e prokurorëve dhe drejtësisë së re, të cilët madje i cilësoi edhe si kolegë të tij.
Veliaj pranoi se në institucion ishte për çështjen e kontratës së incineratorit, për të cilin tha se iu kërkua të paraqiteshin dokumente shtesë.
Për incineratorin e Tiranës, SPAK ka arrestuar drejtorin e Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha, ndërsa duket se hetimet ende vijojnë.
Për të njëjtën dosje nën akuzë është edhe ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj tashmë në arrati, aksionerët Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, ish-ministri Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTE


