Arsimimi me halle/ Mehmeti: 65 % e mësuesve s’dinë as kompjuterin. Dixhitalizimi në gjimnaze duhej të bëhej në 2018-ën. Kemi humbur 54 mijë maturantë

Prej afro 1 muaji ka nisur zbatimi i Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve.

Ky program fillimisht është nisur me trajnimin e mësuesve me metodat më efektive të mësimdhënies në Durrës, Tropojë, Elbasan e Korçë.

Qeveria thotë se do trajnohen mbi 4 mijë mësues të arsimit fillor si dhe mësuesit e Gjuhës Shqipe, Matematikës dhe Shkencat e Natyrës.

Programi parashikon që deri në vitin 2025, mbi 16 mijë mësues do të trajnohen me metodat efektive të mësimdhënies.

Eksperti i Arsimit Ndriçim Mehmeti në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” thekson se fakt është që 65 për qind e mësuesve nuk dinë të përdorin as kompjuterin.

“Një nga shifrat e fundit të raportit, thonë për 65 %, por duhet kuptuar nëse nga këto 65 % nuk kanë kompjuter fare apo nuk dinë ta përdorin atë. E jo më të kërkosh më tutje.

Ministrja kishte vajtur në Shkodër për trajnimet e mësuesve, por në Shkodër nuk ke më Mësuesi. Nuk mund t’i mbajmë me gjilpëra universitetet, por me studentët.

Sepse nga 2013-ta deri tani kemi humbur 54 mijë maturantë që nuk janë më, për arsye se kanë ikur jashtë shtetit fare.

Kemi humbur 157 mijë studentë. Në 2013-ën, ne kishim 55.850 maturantë, ndërsa vjet kishim afro 30 mijë, nga të cilët 10 mijë ikin jashtë shtetit dhe imagjinoje se sa ngelin këtu.

Dhe një pjesë e mirë e tyre janë të paaftë për studimet universitare, dhe janë të përjashtuar në tregun e punës. Pra nuk dinë të bëjnë gjë, sepse gjimnazi nuk të bën profesionist.

Pra, ti nuk as gjuhën e huaj edhe nëse bën kamarierin. Pra, ne nuk kemi kapacitete për të përballuar dhe nuk arrijmë dot të kemi një arsim konkurrues në Rajon.

Nuk ka njeri që t’i thotë kryeministrit dhe ish-ministres Lindita Nikolla, dhe t’i thotë që u dhanë 9 milionë euro dhe na u tha që në vitin 2018 do mbaronte trajnimi i të gjithë mësuesve për dixhitalizimin në gjimnaze dhe që do të dixhitalizoheshin 350 gjimnaze me tableta, ku janë?

 Pra të investigohen ku janë 6 mijë tabletat. Pra ne nuk kemi asnjë analizë se pse arritëm këtu dhe që u evidentua nga PISA”, u shpreh ndër të tjera eksperti i Arsimit, Ndriçim Mehmeti.