KIMIKATET DO REGJISTROHEN!/ Krijohet zyra për kontrollin e sasisë dhe deklarimit të cilësisë
Brenda dy vitesh do të krijohet regjistri me kimikatet që prodhohen dhe importohen në Shqipëri. Përmes një zyre të posaçme do të bëhet e mundur edhe kontrolli i cilësisë, apo dhe mallrat që lejohen ose ndalohen
Subjektet që prodhojnë, apo importojnë produkte kimikate në sasi të mëdha do t’i nënshtrohen procesit të regjistrimit të të dhënave.
Qëllimi është kontrolli i sasisë dhe sigurisë së tyre. Në draftin e hedhur për konsultim publik nisma përcakton krijimin e një zyre të posaçme ku të parët në regjistër, menjëherë pas miratimit do të jenë subjektet që prodhojnë, ose importojnë mbi 100 ton kimikate në vit.
Një vit pas hyrjes në fuqi dosjen do e dorëzojnë kompanitë me mbi 10 ton e pas dy vitesh me mbi 1 ton.
Përjashtim lidhur me regjistrimin e kimikateve do të ketë për kimikatet që vendosen në treg në formën e barnave në veterinari, produkteve kozmetike, lëndët shtesë dhe aromatizues në ushqime.
Jashtë listës së regjistrimit janë edhe rastet e përdorimit në kërkimin shkencor.
Regjistrimi i kimikateve vjen pas disa vitesh ankesa nga fermerët se shpesh plehrat që përdorin, apo lëndët nuk janë cilësore dhe shpesh të dëmshme.

