FOTO-GALERI/ Protesta te Bashkia e Tiranës, reagojnë selitë diplomatike në vend
Me anë të një reagimi në platformën sociale "X", Prezenca e Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar dhunën gjatë protestës së Rithemelimit para bashkisë Tiranë ditën e sotme.
"Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë.
Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore", thuhet në reagimin e Prezencës së BE-së në Tiranë.
Gjithashtu, dhunën e ka dënuar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
"Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës.
E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët.
Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme", thuhet në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Ambasada e Britanisë së Madhe shprehet se skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejleve Molotov nuk kanë vend në demokraci.
“Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit.
Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit.”
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënoi aktet e dhunës gjatë protestës së sotme të opozitës përpara bashkisë së Tiranës. Në një postim në rrjetet sociale, OSBE theksoi se “protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo”.

