“VRASJA E GRAVE” NË KOSOVË/ Ekspertët e sigurisë: Shumë armë në dorë të qytetarëve që pas luftës

Vrasja e grave në Kosovë ka ngritur alarm për armëmbajtjen pa leje! Ekspertët e Sigurisë thonë se qeveritë ndër vite kanë dështuar të bindin qytetarët që të dorëzojnë armët pas luftës me Serbinë!

Vrasja e dy grave në Ferizaj e Pejë nga bashkëshortët në harkun e pak ditëve ka ngritur alarm për krimet nga grave dhe armëmbajtjen pa leje në Kosovë!

“Sa i përket çështjes së këtyre dy rasteve të vrasjeve, që janë shumë raste të femrave të grave të motrave tona, mendoj që janë raste të tmerrshme të cilat i kemi bërë problem në shoqëri.

Mendoj që shoqëria jonë duhet të avancojë, nuk mund të bëhet vetëm me metoda respresive, nuk mund të bëhet vetëm me anë të Policisë dhe Prokurorisë, ne si shoqëri duhet të qasemi krejtësisht ndryshe ndaj kësaj dukurie, që fatkeqësisht është bërë dukuri”, tha Rashit Qalaj.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se kjo luftë nuk mund të fitohet vetëm nga agjencitë ligjzbatuese, por kërkon një qasje ndryshe.

“Çështja e prezencës së armëve te qytetarët është një temë që është diskutuar që nga lufta më tej është bërë vazhdimisht që këto armë të zvogëlohen.

Pra sa më pak qytetarë të kenë armë prezentë, mirëpo fatkeqësisht e vërteta është e tillë, që ka shumë armë nëpër duar të qytetarëve dhe shumica e këtyre armëve janë absolutisht në mënyrë ilegale”, tha ai.

Eksperti i Sigurisë, Avni Islami,  thotë se armët pa lej kane mbetur në duart e qytetarëve që pas luftës ndërsa kritikoi Qeveritë e Kosovës ndër vite se nuk kanë bërë sa duhet.

“Duke ditur se Kosova para 24 viteve është një vend i dalë nga lufta dhe konsiderohet se është paralelisht me të dhëna tjera të Ballkanit që ka një numër të madh të armëve pa leje, pastaj kemi të bëjmë me armë luftarake të cilat nuk janë dorëzuar dhe në këtë drejtim secila Qeveri që ka qenë, ka punuar por jo mjaftueshëm”, theksoi Islami.

Ekspertët e sigurisë thanë për Ekonomia Online se qeveria duhet të ndërmarrë fushata sensibilizimi që qytetarët e Kosovës të dorëzojnë armët pa leje që mbajnë në banesa

“Të gjithë duhet ta dimë se armë mbajtja pa leje është një akt i pa precedent dhe është i rrezikshëm”, tha ai.

Të paktën 56 gra janë vrarë në Kosovë që prej vitit 2010! Aktivistë të shoqërisë civile e kanë cilësuar femicid dhe kanë kërkuar shpalljen e emergjencës!