U gjobit se valëviti flamurin kuqezi, kreu shqiptarëve të Preshevës për “Ora News”: Hakmarrje raciste e Serbisë
Kryetari i komunës së Preshevës Shqiprim Arifi, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka lajmëruar se Serbia i ka vendosur komunës gjobë 55 mijë dinarë, vetëm pse ka vendosur flamurin shqiptar në Ditën e Pavarësisë.
Lidhur me këtë vendim, kreu i shqiptarëve të Luginës nga studioja e lajmeve në “Ora News” deklaroi se çdo gjë lidhet me vendimin e Strasburgut, aty ku Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i dha dritën jeshile Kosovës për anëtarësim në KiE.

Për Arifin, kemi të bëjmë me një hakmarrje primitive dhe raciste nga ana e Serbisë ndaj shqiptarëve.
“Kemi të bëjmë me një fqinj, me një komb, i cili në mendësinë e tij e ka më së shumti me rezimente raciste se sa ka një mendësi të hapur perëndimore.
Ne kemi punë këtu, sepse në vetëdije dhe nënvetëdije janë raciste. Paramendoni se kemi të bëjmë me një shtet që ka marrë një humbje në Këshill të Evropës dhe ndalon mbi 1 mijë qytetarë të Kosovës të mos hyjnë në Evropë. Imagjinoni ta bëjë këtë Shqipëria qytetarëve grekë vetëm sepse ka bërë një humbje në Bruksel.
Ndaj këtu kemi të bëjmë me një problematikë shumë të madhe, që u shfaq edhe sot që hakmarrja po bëhet. Dhe kjo u dëshmua edhe sot me një vendim të Gjykatës vetëm sepse vendasa flamurin shqiptar.
Kjo ka ndodhur për asgjë tjetër vetëm sepse ekziston kjo mendësi raciste ndaj shqiptarëve. Edhe vetë në Kosovë nuk dënohet asnjë serb që valëvit flamurin serb në shtëpi apo në komunat me shumicë serbe.
Në Serbi ky racizëm vazhdon të ekzistojë sepse ata nuk i duan shqiptarët dhe ndaj nesh si shqiptarë të Serbisë hakmerren menjëherë nëse ata pësojnë ndonjë humbje diplomatike në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ndër të tjera kreu i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi.


