"Zbythet" Serbia, liron nëndrejtorin e Policisë së Kosovës, Gërvalla: Një prej akteve të dëshpëruara hakmarrëse të Beogradit

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla njofton përmes rrjeteve sociale lirimin e nëndrejtorit të Policisë së Kosovës Dejan Jankoviq, i cili u ndalua nga autoritetet serbe dy ditë më parë.

NJOFTIMI I GËRVALLËS

Sapo u njoftova nga përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari se pas presionit të madh ndërkombëtar, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë.

Ai ishte ndaluar për dy ditë me radhë arbitrarisht dhe është marrë në pyetje nga organet e Serbisë.

Ky arrestim ishte vetëm një prej akteve të dëshpëruara hakmarrëse të Serbisë pas votës masive të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë nga më të rëndësishmet ndërkombëtare.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi ditën e djeshme.