FOTO/ Kush është Dritan Gjika? Prokuroria ekuadoriane e lidh shqiptarin nga Shkodra dhe 4 persona të tjerë me pastrimin e 31 mln dollarëve
Një gjykatës kundër korrupsionit vendosi të lidhë këtë të enjte, pesë persona të tjerë me hetimin e një rasti të dyshuar të pastrimit të parave prej rreth 31 milionë dollarë. Një prej të lidhurve është një shqiptar i njohur në Ekuador, Dritan Gjika.
Së bashku me Gjikën, i përmendur si drejtues i mafies shqiptare që vepronte në vend, janë të lidhur katër persona: Mario S.; Carina E.; Carlos G.; dhe Pablo H. Shtatë kompani apo persona juridikë janë gjithashtu në proces.
Ndaj tyre gjyqtari ka urdhëruar ndalim parandalues, sekuestrim të pasurisë dhe bllokimin e llogarive. Ai ka urdhëruar policinë që ta lokalizojë dhe t’i kapë të akuzuarit.

Më 7 shkurt, Policia Kombëtare, së bashku me Prokurorinë, arrestuan Julio L., Jonnathan L., Bryan L., Javier C. dhe Teresa P. si rezultat i operacionit “Pampa”, i cili u zhvillua në disa qytete të Ekuadorit dhe gjithashtu në Spanjë.
Sipas Prokurorisë, përmes informacioneve konfidenciale u mësua se në Guayas, ndodhej një kompani transporti e dedikuar për transferimin e parave dhe substancave të paligjshme përmes kamionëve.
Për më tepër, në Guayas, Los Ríos, Cotopaxi dhe Santa Elena, vepronte një organizatë kriminale e dedikuar për pastrimin e parave të trafikut të drogës, e drejtuar nga Dritan Gjika dhe qytetarë të tjerë.
Për këtë u krijuan disa kompani të dedikuara për eksportin e produkteve bujqësore (kryesisht banane), blerjen dhe shitjen e pasurive të paluajtshme, prodhimin e mishit dhe kanabisit.
Këta shtetas kanë përfituar pasuri të ndryshme si automjete të nivelit të lartë dhe pasuri të paluajtshme si toka, shtëpi, zyra, magazina dhe parkingje në katër provinca të vendit, sipas hetimit tatimor.
OPERACIONI I 7 SHKURTIT

Në një konferencë të përbashkët, autoritetet e të dyja vendeve bën të ditur se 18 prej të ndaluarve u arrestuan në Ekuador, ndërsa 12 të tjerët në Spanjë.
Të arrestuarit përfshinin njerëz nga Kolumbia, Argjentina, Kina, Spanja, Ekuadori dhe Shqipëria, tha policia e Ekuadorit, duke shtuar se grupi dyshohet se drejtohej nga një shtetas shqiptar.
Mediat në Ekuador shkruajnë se bëhet fjalë Dritan Gjikën nga Shkodra, i cili kishte hyrë në Ekuador prej vitit 2009.
Në total gjatë këtij operacioni u kryen 57 bastisje në gjashtë provinca të Ekuadorit dhe në katër qytete spanjolle, ndërsa u sekuestruan në vende të ndryshme rreth 2.3 tonë kokainë, 483 mijë dollarë, 10 armë të ndryshme dhe 25 automjete.

Sipas hetimeve që kanë zgjatur afro 2 vite, kjo organizatë kriminale e dedikuar për dërgesat transnacionale të drogës porosiste kokainë nga Kolumbia dhe përmes porteve të Ekuadorit e transportonte atë në vende të ndryshme të Europës si Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri dhe për ta shpërndarë më pas në gjithë Europën.
Paratë e përfituara nga ky aktivitet kriminal kjo organizatë dyshohet se i pastronte duke blerë pasuri paluajtshme. /BW



