VENDIMI/ Apeli detyron “Vettingun” të tregojë emrin e sponsorit që i financoi fjetjen në resortin luksoz “Marina Bay”
Emri i sponsorit privat që financoi një prej aktiviteteve të punës që KPK zhvilloi në muajin shtator 2021 në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë, duhet të tregohet dhe mos vijohet të mbahet më i fshehur.
KPK-ja duhet të tregojë emrin e subjektit privat që i financoi këtë takim dhe fjetjen në hotel, aktivitet i cili u krye jo me financat e buxhetit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, po me lekët e një subjekti privat.
Detyrimi për të treguar emrin e njeriut që pagoi shumën e majme për akomodim, ushqim dhe fjetje në “Marina Bay”, është vendosur nga Gjykata e Administrative e Apelit, e cila tashmë ka zbardhur vendimin e marrë dy muaj më parë.
Me këtë vendim të marrë nga Apeli, është prishur vendimi i Gjykatës Administrative i Shkallës së parë, i marrë nga gjyqtarja Nafije Hasko, e cila e konsideron institucionin kyç të Vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve si palë kontraktore me të drejta për të lidhur marrëveshje konfidenciale financiare me subjekte private, ndërsa arsyeton çuditërisht se klauzola e konfidencialitetit në marrëveshjen e sponsorizimit i shërben “mbrojtjes së interesit publik”.
Por tashmë ky vendim është zhbërë dhe një tjetër vendimmarrje është në fuqi.
Përmes vendimit të Apelit, të firmosur nga gjyqtarja Blerona Hasa, Altina Nasufi dhe Sokol Ibi, lihet në fuqi vendimi Nr.54 i datës 7 dhjetor 2021, i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale, që urdhëronte KPK-në të tregonte emrin e sponsorit privat në një aktivitet pune në ambientet e resortit luksoz “Marina Bay”.
“...rrjedhimisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk mund të konsiderojë sekret tregtar, emrin e sponsorizuesit, përsa kohë që sponsorizimi nuk përbën me ligj veprimtari tregtare të posaçme që nuk duhet të njihet botërisht, në kushtet kur deklarimi në organet tatimore i kontratës respektive të sponsorizimit, përbën detyrim ligjor për sponsorin, në mospërmbushjen e të cilit, edhe sikur ky të ketë qenë vullneti i tij në marrëveshje, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk mund të bëhej pale...”-thuhet në vendimin e zbardhur të Apelit Administrativ.
Më tej në vendimin e Apelit nënvizohet se gjykata e shkallës së parë vlerësohet se kishte detyrimin të argumentonte se:
“...në ç’mënyrë, të dhënit e informacionit të plotë mbi subjektin që ka sponsorizuar akomodimin e komisionerëve në një hotel, do të cenonte interesin publik, në një kohë kur ky interes nuk konstatohet të ketë pësuar deri tani asnjë cenim, nga publikimi sistematik e disavjeçar i të dhënave të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, pa përjashtuar akomodimet e tyre në hotele, madje është konsideruar se ka shërbyer si instrument për t’i kthyer publikut, besimin tek drejtësia. Mbi ç’bazë standardi i transparencës, zbatuar tashmë gjatë procesit të vetting-ut të gjyqtarëve në detyrë, nuk duhet zbatuar edhe për komisionerët kuasi gjyqtarë....”.
Nisur nga kjo situatë tre gjyqtarët e Apelit Administrativ argumentojnë duke vlerësuar tejet korrekt argumentin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasqyruar në Vendimin Nr.54 në datën 7 dhjetor 2021, që detyronte KPK të tregonte emrin e sponsorit privat për akomodimin në resortin luksoz “Marina Bay”.
