Prokuroria e Korçës bëhet si SPAK, i futet bashkisë, pezullon katër zyrtarë, favorizonin oligarkët që ndërtojnë vila

Një hetim i nisur disa muaj më parë ka çuar në ndjekje penale, 4 zyrtarë të bashkisë Korçë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke “Shpërdoruar detyrën” kanë shmangur detyrimet tatimore për disa subjekte ndërtimore dhe individë të ndryshëm që ndërtonin banesa dhe vila në qytetin e Korçës.

Hetimet janë udhëhequr nga prokurorja e Korçës Odeta Todorushi, e cila pas një seri verifikimesh, arriti në konkluzionin se katër punonjësit e bashkisë kanë kryer përllogaritje të gabuar të taksës financiare që subjektet private duhet të paguanin në bashki.

Nisur nga kjo veprimtari kriminale 4 zyrtarët i kanë shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të bashkisë Korçë, duke sjellë dhe marrjen e masave për pezullimin e tyre nga puna.

Zyrtarët kanë favorizuar biznesmenët që ndërtojnë komplekse vilash mbi parkun “RINIA” në Korçë e për pasojë prokurorja Odeta Todorushi, i është drejtuar gjykatës së rrethit me një kërkesë për pezullimin e tyre.

Gjykata ka pranuar kërkesën e akuzës duke vendosur të pezullojë nga detyra, Zhaneta Lubonja drejtore e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të Territorit në bashkinë Korçë, Ermal Germani, përgjegjës sektori në këtë drejtori, Olvas Petro, specialist i përllogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, Soniel Prifti, Drejtor i Drejtorisë e Taksave në Bashkinë Korçë.

Pritet që brenda 5 ditëve në gjykatën e Korçës 4 zyrtarët e bashkisë të dalin për tu njohur me masën e sigurisë pezullim nga detyra dhe detyrimit për tu paraqitur në oficerët e policisë.