Besimtarët falin namazin e Fiter Bajramit në pedonalen e qytetit, mesazhe urimi dhe paqeje nga Berati
Besimtarët myslimanë beratas kanë falur sot Fiter Bajramin në Pedonalen e qytetit.
Pas një muaji sakrifice nëpërmjet agjërimit, besimtarët myslimanë beratas janë mbledhur paraditen e sotme në Pedonalen e qytetit, ku edhe kanë kryer ritet e faljes.
Pedonalja e qytetit është mbushur plot me besimtarë myslimanë, të cilët janë falur për mirësi, shëndet, paqe e dashuri në familjet e tyre.
Falja e madhe është ndjekur edhe nga dhjetëra qytetarë beratas që nuk i përkasin këtij besimi fetar. Falja dhe ritet e festës janë kryer nga Myftiu Bilbil Talla, i cili është falur për më shumë paqe, mirësi dhe begati në familjet beratase dhe në gjithë vendin.
Myftiu ka theksuar se sakrifica e çdo besimtari në 30 ditët e agjërimit është një sakrificë sublime që do të shpërblehet nga zoti me më shumë begati e shëndet.
Falja e Fiter Bajramit vijon më pas në çdo familje beratase me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën e besimtarëve nëpërmjet agjërimit gjatë 30-ditëve të Ramazanit.


