Fiter Bajrami mes festës dhe varfërisë në Elbasan/ Besimtarët dhe Myftiu Agim Duka thirrje për solidaritet: Qëndroni larg veseve

Besimtarët myslimanë në Elbasan mëngjesin e ditës së sotme falën Namazin e Fiter Bajramit në sheshin “Gensher”, pas një muaj sakrifice duke agjëruar.

Këtë vit u vërejt një numër tepër i madh besimtarësh krahasuar me vitin e kaluar.

Besimtarët myslimanë përçuan urimin e tyre për këtë ditë të shenjtë për to, duke theksuar se të varfrit duhen ndihmuar pasi shumë familje myslimane sot e kanë të pamundur të shtrojnë drekën e Bajramit.

Gjithashtu Myftiu i Elbasanit, Agim Duka në këtë ditë të shënuar përshëndet besimtarët myslimanë duke i uruar Fiter Bajramin.

Myftiu i Elbasanit, Agim Duka gjatë ligjëratës së tij i ftoi besimtarët myslimanë dhe njerëzit vullnet mirë që të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidare e sa më të shëndoshë.

“Është koha që të angazhohemi maksimalisht që të punojmë së bashku për t’ju larguar veseve, për t’ju larguar bixhozit, për t’ju larguar alkoolit e korrupsionit e çdo vesi të keq të shoqërisë dhe të shtojmë sa më tepër dashurinë mes njëri tjetrit”, bëri thirrje Myftiu i Elbasanit.

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajt të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen për shkak se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, për ta festuar së bashku këtë festë.