Shqipëria aderon në marrëveshjen “Interbus”, Muçaj: I përgjigjemi kërkesës të BE-së
Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për aderimin e Shqipërisë në protokollin e marrëveshjes mbi transportin ndërkombëtar të rastit të udhëtarëve me autobus (marrëveshja interbus), në lidhje me transportin ndërkombëtar të rregullt dhe të rregullt të specializuar të udhëtarëve me autobus”.
E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e cila u shpreh se ky protokoll është vijim i marrëveshjes bazë.
“Kjo nismë nuk ka asnjë efekt financiar për buxhetin e shtetit dhe mundësohet një marrëveshje ndërkombëtare për një qarkullim më të shpejtë. I përgjigjemi një kërkese të partnerëve tanë strategjik si Bashkimi Europian”, u shpreh Muçaj.
Relatorja e çështjes, Hatixhe Konomi, u shpreh se Shqipëria ka aderuar me marrëveshjen interbus në vitin 2004 dhe aderimi në protokollin e sotëm vjen si zgjerim i kësaj marrëveshje.
“Vendet që kanë aderuar në këtë protokoll janë vende të BE-së. Shqipëria vjen me një kuadër ligjor më të harmonizuar me rregullat e BE-së. Marrëveshja s’ka efekte financiare në buxhetin e shtetit dhe ftoj kolegët ta mbështesin këtë projektligj”, u shpreh Konomi.

