Takimi i Komisionit për Evropën të OBT-së në Tiranë, Rama: 10 mln turistë në Shqipëri vjet, mbetet sfidë për ne! Një tjetër nivel promovimi i vendit
Shqipëria po mikpret për herë të parë Takimin e 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për fushën e turizmit, por edhe si një organizim i nivelit të lartë të UNËTO që mbahet për herë të parë në vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se puna e bërë në Shqipëri për turizmin është mjaft e mirë.
Për të treguar hapat që ka hedhur Shqipëria në drejtim të zhvillimit të turizmit, Kryeministri Rama solli në vëmendje situatën e izolimit që përjetonte vendi gjatë diktaturës komuniste.
“Ne kemi njohur një periudhë të historisë në të cilën kemi qenë tërësisht të ndarë, të veçuar e izoluar nga të gjithë. Çdo gjë është përtej imagjinatës të izolimit dhe brutalitetit që kemi hasur në këtë vend deri para 30 vitesh. Ne kemi pasur 5 mijë turistë në atë kohë dhe ata jo të zakonshëm por marksistë-leninistë”, tha Rama.
Sot, vijoi ai, kemi një realitet tërësisht tjetër, me më shumë se 10 milionë turistë që kaluan në Shqipëri vitin e kaluar dhe me shifra shumë të larta gjatë muajve të parë të vitit.
Kryeministri theksoi se përveç suksesit në këtë drejtim ka edhe shumë sfida me të cilat, siç u shpreh ai “duhet të përballemi dhe t’i zgjidhim në rast se dëshirojmë që Shqipëria të ecë para në mënyrë të qëndrueshme dhe të jetë një destinacion ku turizmi të jetë një vlerë e shtuar”.
“Ne duhet të ruajmë natyrën, duhet të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur dhe t’i gërshetojmë të dyja, nga njëra anë të krijojmë mundësitë e duhura që njerëzit të marrin më shumë nga puna e tyre, por të lënë më shumë nga Shqipëria për brezat e ardhshëm ndërkohë që ndërtojmë një destinacion të rëndësishëm turistik”, tha kryeministri.
Kryeministri vlerësoi rolin e OBT-së në ndarjen e ekspertizës dhe njohurive mes vendeve, që të mos përsëriten më gabimet e të shkuarës në drejtim të zhvillimit të turizmit.
“Ju i keni përjetuar vetë këto gjëra. Keni kaluar këto faza zhvillimi dhe keni mësuar shumë nga gabimet tuaja. Ne nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime por duhet të nxjerrin mësime ndaj e vlerësojmë kaq fort OBT-në. Shpresojmë fort që ne do të mësojmë nga gabimet tuaja, ndërsa tashmë i kemi bërë disa gabime tonat prej të cilave kemi nxjerrë mësime”, tha ai.
Rama theksoi se Shqipëria trashëgon një potencial të madh pasi Zoti dhe historia janë treguar bujare dhe na kanë lënë trashëgim disa vende nga antikiteti.
“Ne nuk jemi Zvicra por duhet të kemi të njëjtën mënyrë si ata për të kuptuar se çfarë do t’i lëmë brezave të ardhshëm që mos të prishin bukuritë natyrore”, tha Rama.
Më herët Rama ka publikuar në rrjetet sociale videon promovuese të këtij evenimenti.
“Me entuziazmin e ndjesinë e Shqipërisë Turistike ku me të njëjtën energji i japim mirëseardhjen delegacioneve të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që do ta kthejë Tiranën në një pol dinamik të eventeve dhe ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë”, shprehet Rama.
Takimi
Pasditen e së dielës u zhvillua pritja e mbërritjes së delegacioneve të UNËTO përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism Natalia Bayona si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Europës.
Sipas agjendës së bërë publike nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ditën e hënë më 8 prill do të mbahet mbledhja të 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO, ku do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
Më date 9 prill, do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania.” Ky botim vjen si një punë e përbashkët e Organizatës Botërore të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë që do t’u prezantohet aktorëve dhe palëve të interesuara të industrisë së turizmit.
Një ditë më parë ministrja Kumbaro bëri publike shifrat e vizitorëve të huaj për muajin mars, duke nënvizuar se ky muaj shënoi një rekord të ri në flukset hyrëse prej 1.7 milionë turistësh të huaj.




