Gjykata rrëzon kërkesën për revokimin e masës së arrestit për Berishën, Gjokutaj: Qëllimi është djegia e mandatit!

Avokati i liderit të opozitës, Genc Gjokutaj, dha një deklaratë për mediat pas daljes nga Gjykata e Posaçme, ku gjykata rrëzoi kërkesën për revokimin e masës së arrestit në shtëpi për Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.

Gjokutaj tha për mediat: "Gjykata shpalli vendimin për të dy, për z. Sali Berisha dhe zotin Jamarbër Malltezi duke rrëzuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit në shtëpi. Sigurisht që kërkimet tona nuk do të shterojnë duke pasur si shtyllë kryesore, zëvendësimin e masës së arrestit në shtëpi për z. Berisha dhe z. Malltezi. Ju duhet të dini që një nga elementët bazë të kërkesës sonë është fakti se kjo gjykatë ka vendosur mbi një dispozitë të shfuqizuar gjashtë vjet më parë. Kodi i ri i procedurës nuk parashikon vetëm personat që bashkëjetojnë, takimin, komunikimin si e drejtë bazike, parimin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, zoti Berisha vetëm me personat që bashkëjeton. Kjo është dispozita e vjetër.

Dispozita e re ka ndryshime në gërshetim dhe me ligjin për të arrestuarit, të dënuarit, në të cilin mund të takohet jo vetëm me personin bashkëjetues, por edhe me persona të tjerë. Një tjetër element është edhe fakti që SPAK, gjatë gjithë këtyre muajve hetim nuk ka asnjë provë të re, nuk ka kryer asnjë hetim që të mbajë në këmbë këtë hetim dhe mbi gjithë këtë, merr edhe një vendim për zgjatjen e afatit të hetimit dhe qëndrimi në arrest shtëpie i z. Berisha, i z. Jamarbër Malltezi pa një fakt të ri, e zbut nevojën e sigurimit dhe ata nuk kanë më pse e ndjekim hetimin në gjendjen e arrestit të shtëpisë sepse nuk ka asnjë kusht dhe asnjë kriter që ai të mbahet në arrest shtëpie.

Kështu që Gjykata e rrëzoi kërkesën. Si gjithmonë kjo gjykatë, pavarësisht nga shkaqet që ne paraqesim dhe ngremë, merr vendimin e rrëzimit në atë qëndrimin konsekuent të saj për arsye që tashmë ne i kemi deklaruar të ndërhyrjes së politikës që në inicimin e kësaj çështjeje dhe në vendimmarrjet më pas.

Pyetje: Mund të themi që z.Berisha po shkon drejt një djegieje mandati meqënëse gjykata po i rrëzon të gjitha kërkesat?

Gjokutaj: Qëllimi i gjithë kësaj sage arrestesh dhe rrëzimit të kërkesave tona është pikërisht kjo – djegia e mandatit.  Ne po vazhdojmë luftën sepse një person që është në arrest shtëpie të jetë më i kufizuar se një në arrest me burg, kështu siç e koncepton SPAK dhe Gjykata GJKKO, është skandaloze. Nga pikëpamja ligjore është e papranueshme dhe si arsyetim, i papranueshëm.

Pyetje: Ka një proces në Gjykatën e Lartë dhe mund të ketë edhe një vendimmarrje. Dhe e dyta, duke qenë se të gjitha kërkesat tuaja janë rrëzuar në Apel, në Gjykatën e Shkallës së Parë, në trupë gjykuese që thuajse nuk ndryshon asnjëherë, a do t’i adresoheni ndonjë institucioni tjetër të drejtësisë, kombëtar apo ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Gjokutaj: Nesër është i njëjti objekt, zëvendësimi i masës së sigurimit. Sigurisht ajo ka shkaqe të tjera të kërkimit dhe nesër do të presim vendimin e Gjykatës. Sigurisht, destinacioni ynë është deri sa të vendoset drejtësia në vend. Pa marrë parasysh, ne do të ndjekim të gjitha shkallët e gjykimit, si gjykatat kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse ne kemi bërë kërkime të pandërprera për të konsumuar të gjitha kërkimet e mundshme në gjykatat shqiptare, për të mos lënë asnjë vakuum ligjor që nesër t’i drejtohemi gjykatave ndërkombëtare.