E Premtja e Zezë, Kisha Katolike organizon procesionin e “Udhës së Kryqit” në sheshin “Nënë Tereza”

Në vigjilje të Pashkëve Katolike, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë është organizuar procesioni i ‘Udhës së Kryqit’, njësoj si në Vatikan.

Besimtarët katolikë me qirinj në duar ishin mbrëmjen e kësaj të Premte të madhe në sheshin “Nënë Tereza” në precesionin që udhëhiqej nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj.

Imzot Arjan Dodaj nga sheshi “Nënë Tereza” përcolli mesazhe paqejeje, ndërsa u lut për më shumë mbarësi për besimtarët. “Jezusi është rruga dhe ne do të ecim me të. Ka ecur duke shëruar të sëmurët”, tha ai.

Besimtarët demonstrojnë mundimet e Jezu Krishtit që e dënuan dhe ia ngarkuan kryqin në shpinë deri në përfundim të rrugëtimit kur dha shpirt dhe u ringjall në të Dielën e Pashkës.

Dhjetëra besimtarë ecën në rrugën e mundimeve të Krishtit, një pjesë e tyre duke mbajtur kryqe të rëndë prej druri. Udha e Kryqit u përshkua duke ndjekur 14 Stacionet e rrugës së mundimit të Jezu Krishtit.

E Premtja e Madhe, apo e Premtja e Zezë, është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Krishtit, Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij nga të vdekurit.

Besimtarët katolikë presin Të Dielën e Pashkës, e cila njihet ndryshe si Dita e Ringjalljes, duke kaluar më parë nga Udha e Kryqit të së Premtes.