Harta e 7 vilave të bllokuara, hija e “Edit të Saukut” në investimin tek fondi pyjor i bashkisë

Konfiskimi i 7 vilave dykatëshe të ndërtuara pa lejë në zonën e Mulletit, pranë rezidencës “Secret Garden”, ka sjellë zbulimin e një emri të njohur të botës së krimit që besohet se qëndron si pronari në hije i këtij investimi tashmë të bllokuar.

Bëhet fjalë për Eduard alias Edison Dushkun, që në Tiranë njihet si “Edi i Saukut”, i sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, dyshohet se qëndron si pronari në hije i këtij investimi në periferinë e Tiranës.

Dyshimet e shumta për përfshirjen e Eduard Dushkut në këtë veprimtari kriminale, duke tjetërsuar fondin pyjor të bashkisë së Tiranës dhe ndërtuar pa lejë, janë ngritur pasi në një nga vilat e sekuestruara aplikimi për skemën e rindërtimit të saj, e ka bërë gruaja e Eduard Dushkut.

Bashkëshortja e tij, Dorina Dushku është marë e pandehur dhe çështja kundër saj, pritet të dërgohet në gjykatë për akuzën e “Ndërtimit pa lejë”

Hetimi i kësaj çështje, ka nisur në prokurorinë e Tiranës nga tre prokurorë të ndryshëm, pas kallëzimeve të bëra lidhur me miratimin e lejeve ndërtimore përmes skemës së rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.

Këto kallëzime janë trajtuar nga tre prokurorë të ndryshëm si Arenc Çela, Erjon Imeraj dhe Ndini Tavani, por në një moment të gjitha kallëzimet janë bashkuar në një dosje të vetme.

Hetimet kanë zbuluar se 9 persona janë marë të pandehur, duke filluar nga arkitekti Armand Prelazi, Klevis Bregu, Manush Teqja, Florian Zela, Abaz Teqja, Tefta Visha, Dorina Dushku, Arblin Harizi dhe Gani Moka.

Verifikimi i thjeshtë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit ‘Google Maps’, doli se të dhënat e pasqyruara në relacione nga Arkitektët Armando Prelezi dhe Klevis Bregu, tregonin vendndodhje të ndryshme krahasuar me vendndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetë-deklarimet e bëra pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Harta e 7 vilave të bllokuara, hija e “Edit të Saukut”

Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar në ngastrat e ekonomive pyjore 1/a dhe 2/a, në juridiskionin e Bashkisë Tiranë.

Nga ana tjetër, njëri nga personat në hetim, Gani Moka, administrator dhe ortak i i kompanisë “Certi VV South Balkans”, ka lidhur kontratë qiraje në datën 14 prill 2021 me Agjencinë e Parqeve dhe rekreacionit për sipërfaqen 2000 m2, e cila është pjesë e fondit pyjor, ngastra 1/a, ku në fakt janë ngritur ndërtimet me të dhënat e rreme.