Projektligji/ S'kemi përkthyes për gjuhët e rralla, qeveria mund ta gjejë "shpëtimin" tek ambasadat
Nisma ligjore e qeverisë për disa ndryshime në ligjin për “Profesionin e Përkthyesit Zyrtar” është depozituar në Kuvend dhe pritet të diskutohet në komisionet parlamentare. Nisma ligjore synon adresimin e problemit të mungesës së përkthyesve zyrtarë për gjuhët e rralla, ku nuk ka kërkesa për t’u certifikuar.
Në projektligj i hapet rrugë mundësisë,që institucionet shtetërore të kërkojnë bashkëpunimin e konsullatave apo ambasadave të akredituara në vendin tonë për të realizuar përkthime zyrtare për gjuhët e rralla, kur nuk ka përkthyes të certifikuar.
Një ndër parashikimet që synon të garantojë cilësinë e përkthimit zyrtar dhe të shërbimit të ofruar është neni 7 i ligjit. Ky nen përcakton se asnjë person tjetër, që nuk është certifikuar për ushtrimin e profesionit të përkthyesit zyrtar nuk lejohet të kryejë përkthim të dokumenteve zyrtare ose të akteve normative të miratuara në Republikën e Shqipërisë, të marrëveshjeve ndërkombëtare ose të normave të nxjerra nga organizatat ndërkombëtare me shkrim nga gjuha e burimit në gjuhën e synuar.
Por, ka gjuhë për të cilat nuk ka përkthyes zyrtarë të certifikuar. “Për të adresuar problematikën e gjuhëve të rralla, sqarohet se nëpërmjet pikës 3, të nenit 14, ligji ka parashikuar edhe mekanizmin për të pasur përkthyes zyrtarë të sa më shumë gjuhëve të huaja, duke lehtësuar edhe procesin e certifikimit të tyre”, lexohet në relacion.
Për rastet kur nuk ka përkthyes zyrtarë të certifikuar për një gjuhë të caktuar, dhe për të cilin nuk ka shprehje interesi për t’u certifikuar, në projektligj janë parashikuar dhe mundësi të tjera për zgjidhjen e ngërçit.
“Përmes shtimit të nenit 7/1 synohet që, përjashtimisht dhe rast pas rasti, ministria, për nevoja të ushtrimit të kompetencave, si dhe organet që ligji u ka njohur të drejtën për përkthimin zyrtar të akteve ose dokumenteve sipas këtij ligji, për kryerjen e përkthimit zyrtar të mund të kërkojnë ndihmën e: 1. Misioneve diplomatike ose posteve konsullore; 2. Organizatave ndërkombëtare, që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë ose institucioneve të Bashkimit Evropian; ose 3. Autoriteteve të tjera të huaja”, thuhet në relacion.
“Efekti i pritshëm i këtij parashikimi do të jetë ofrimi i shërbimit të përkthimit sa më shpejt të jetë e mundur nëpërmjet angazhimit të personave të tjerë, që nuk janë përkthyes zyrtarë. Me qëllim që ofrimi i këtij shërbimi të jetë tërheqës për personat që do të kryejnë shërbimin, si dhe me qëllim që të sigurohet shpërblimi për punën e kryer, është parashikuar që, në këto raste, masa e shpërblimit të caktohet në marrëveshje me subjektin, të cilit i kërkohet ndihma”, bëhet me dije në relacionin e projektligjit.
Qëllimi i shprehur më sipër nuk përjashton detyrimin e organeve për të siguruar përkthimin me kosto të arsyeshme dhe sa më të përafërta me kostot e përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit përgjegjës për financat.
Ndërkohë, në pikën 4 janë përcaktuar parashikimet që duhet të përmbajë marrëveshja për kryerjen e përkthimit zyrtar. Këtu përfshihen detyrimet për kryerjen e përkthimit zyrtar, duke vepruar me kujdesin e duhur, si dhe duke zbatuar kodin e etikës dhe rregullat e ushtrimit të profesionit, zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në nenit 24, si dhe për të përcaktuar masën e shpërblimit për përkthimin e kryer.
Gjatë zbatimit në praktikë të ligjit lidhur me ngritjen e komisioneve të posaçme për zhvillimin e provimeve të kualifikimit për gjuhët e rralla, rezultoi të kishte mungesa të anëtarëve. Nga praktika e deritanishme, është arritur në përfundimin se nuk është e nevojshme që ministritë përkatëse të kenë nga dy përfaqësues në komisionet e provimit të kualifikimit.
Ndërkohë, për sa i përket Komisionit të Posaçëm për Interpret të Gjuhës së Shenjave nuk parashikohet të kryhen ndryshime për shkak se nuk ka pasur problematika në lidhje me ngritjen e tyre.
Me qëllim lehtësimin e procedurave dhe të kostove të personave që do të ushtrojnë profesionin, është parashikuar ndërhyrja në nenin 18, për pajisjen me vulë dhe kartë identifikimi të përkthyesve dhe interpretëve. Në këtë mënyrë këto subjekte do të kryejnë vetë të gjitha veprimet për t’u pajisur sa më parë me vulën dhe kartën e identifikimit, pa pasur nevojë që të shpenzojnë kohë dhe mjete financiare për t’iu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë, ministri i Drejtësisë do të përcaktojë me urdhër formën, përmbajtjen dhe karakteristikat e tjera të vulës e të kartës së identifikimit, si dhe rregullat për pajisjen e administrimin e tyre, me qëllim uniformizimin dhe ruajtjen e një standardi për të gjitha vulat e kartat e identifikimit.



