Nis me debate punën komisioni hetimor për Shëndetësinë, Vokshi – Ndrecës: Të lutem... MBYLLE!

Pas miratimit me vota të mazhorancës dhe opozitës në parlament, këtë të hënë ka nisur punën komisioni hetimorparlamentare për koncensionet në shëndetësi.

Deputetja Albana Vokshi është ajo që do të drejtojë komisionin e sterilizimit dhe atë të Check-Up.

“Nuk është vetëm shpërdorim detyre, por është korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë. Nuk duhet të bëhemi mburojë për këtë proces. Me 200 milionë euro mund të ishin bërë spitale të reja, qendra shëndetësore dhe të ishin rritur pagat e mjekëve dhe infermierëve. Si pikë e parë e rendit të ditës është konstituimi i këtij komisioni. E deklaroj hapjen e këtij komisioni, përbërja e tij komisioni është miratuar.”, tha Vokshi.

Teksa mbledhja nisi nën drejtimin e deputetes opozitare Albana Vokshi, ashtu siç dhe pritje kjo mbledhje ka nisur me debate mes saj dhe socialistëve në Komision.

Ndërhyrja për procedurë e deputetit Plarent Ndreca ka shkaktuar nervozizmin e demokrates Vokshi.

"Të lutem... MBYLLE!" - iu drejtua Vokshi Ndrecës.

Deputeti i PS-së, Plarent Ndreca teksa mori fjalën në komisionin hetimor për hetimin e koncesionit të sterilizimit dhe Check-Up-it, kritikoi kryetaren Albana Vokshi për qasjen e saj dhe akuzat, ende pa nisur punimet ky komision.

Ai tha se nuk duhet të paragjykohet kjo çështje, e cila do të merret nën shqyrtim nga ky komision.

“Më vjen keq që u nis në këtë mënyrë komisioni, duke iu referuar këtyre deklaratave që bëtë, keni paragjykuar këtë komision. Nëse konkludoni këtë gjë, fyeni këtë çështje, për të cilën ne do të hetojmë. Ne jemi ngritur për të hetuar, për të mos paragjykuar. Nëse vijojmë me deklarata partiake, ndërkohë ne jemi këtu për të dalë te e vërteta, e kemi nisur me këmbën jo të mbarë këtë komision. Do ju tërhiqja vëmendje zonja kryetare, respektoni kushtetutën. Për konstituimin e mbledhjes, ne nuk e kemi vendimin e zbardhur të seancës plenare. Duhet të kishim një vendim të zbardhur. Sot një prej anëtareve, mungon, Klodjana Spahiu, e cila është zëvendësuar. Sot duhet të zgjedhim dhe sekretarin e komisionit, që të vijojmë dhe punën.”, tha Ndreca.

Ndërkohë, Vokshi iu përgjigj duke shtuar se këto dy cështje që do të diskutohen në komision, janë dy afera dhe skandale të mëdha.

“Kam diskutuar me drejtoreshën juridike dhe përfaqësues të Kuvendit dhe vendimi është zbardhur. Por për shkak të një numri në këtë vendim, është vonuar kjo çështje. Kush e përmendi fjalën dhunë? E paskeni në subkoshiencë të që mendoni ju se do të themi, Por ne nuk themi atë që mendoni ju. Shpresoj dhe mendoj se deputetët e këtij komisioni do të ngrihen në lartësinë e duhur për të zbardhur dy prej aferave dhe skandaleve në gjykimin jo vetëm tonin, por dhe të mbarë opinionit publik.”, tha ajo.

OBJEKTI I HETIMIT

Shërbimi publik për “Check-up”-in dhe “Sterilizimin” janë dy çështjet kryesore që do të diskutohen, për të cilat opozita akuzon se janë manipuluar kostot financiare.

Komisioni do të ketë në përbërje 15 anëtarë, ku 7 janë nga rithemelimi dhe 8 nga partia socialiste.

Pas Albana Vokshit, numri dy i këtij komisioni do të jetë deputeti socialist Plarent Ndreca, ndërsa afati kohor për hetimin parlamentar do të jetë 4 muaj që prej ngritjes së tij

Kërkesa për ngritjen e këtij komisioni hetimor u depozitua në 25 shtator të vitit 2023 me firmat e 45 deputetëve nga opozita.

Ajo u rrëzua nga mazhoranca me pretendimin se kjo çështje është nën hetim nga SPAK dhe nuk nevojitet një hetim politik.

Nga ana tjetër, në kërkesën e parë të PD, ishin parimisht 4 koncensione që kërkoheshin për hetim, përfshirë shërbimin e hemodializës dhe laboratorët mjekësore. Por në kërkesën e dytë, këto nuk u përfshinë.