Fitorja 4-0 nuk mjafton, Van Dijk: Europiani kërkon një tjetër Holandë

Holanda fitoi 4-0 miqësoren përballe Skocisë. Tulipanët u shfaqën me dy fytyra.

45 minutat e para ishin të komplikuara për vendasit, skocezët luajtën shumë mirë, por Reijnders zhbllokoi rezultatin në fundin e së parës.

Goli i mesfushorit të Milanit, qetësoi skuadrën e Ronald Koeman, që në fraksionin e dytë të takimit shënoi edhe tri herë të tjera me Wijnaldum, Weghorst dhe Malen.

Kapiteni i Holandës, Virgil Van Dijk nuk u rrëmbye nga entuziazmi i fitores me “poker”, teksa në deklaratën pas ndeshjes tha:

Dua të jem i sinqertë: nuk ishte një ndeshje për rezultatin 4-0.

Ishte një ndeshje e vështirë, sidomos sa i përket qarkullimit të topit. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.

Humbëm shumë topa, gjë që është e rrezikshme në momentet e tranzicionit. Ka shumë gjëra që duhen përmirësuar nëse duam të bëjmë diçka të bukur në Europian.

Gjithsesi, ne e mbyllëm mirë takimin. Donim të luanim mirë që në fillim, por nuk ndodhi kështu. Do e analizojmë me qetësi dhe kujdes këtë sfidë.

Duhet të përmirësohemi për takimin e së martës, përndryshe do ta pësojmë”, u shpreh mbrojtësi i Liverpoolit.