Anfield, “standing ovation” për Erikssonin, legjendat e Liverpoolit përmbysin Ajaxin

Sven-Goran Eriksson mori duartrokitje të zgjatura në fitoren me përmbysje të legjendave të Liverpoolit përballë legjendave të Ajaxit të Amsterdamit në ndeshjen e tij të parë dhe të fundit si trajner i të kuqve.

Ish-trajneri i Anglisë ka qenë tifoz i hershëm i Liverpoolit, që nga fëmijëria.

Ai tha se ishte një ëndërr e realizuar që iu dha shansi për të drejtuar ekipin e madhështorëve të klubit të Merseyside kundër Ajaxit në një ndeshje bamirësie në Anfield.

Eriksson zbuloi në janar se kishte kancer dhe mund të ketë më pak se një vit jetë.

Falë dashurisë së tij për Liverpoolin, atij iu kërkua të bashkohej me të mëdhenjtë e klubit John Aldridge, John Barnes dhe Ian Rush për ndeshjen e përvitshme të bamirësisë.

Thuajse 60 mijë tifozë mbushën shkallët e Anfield, duke i dhënë mbështetje të pazkontë 76-vjeçarit suedez me duartrokitje të zjarrta teksa ai ecte në fushë para fillimit të miqësores.

Ekipi i legjendave të Liverpoolit, që përfshinte emra të tillë si Steven Gerrard dhe Fernando Torres e gëzuan Erikssonin me një fitore me përmbysje, pasi pjesa e parë ishte mbyllur me epërsinë prej dy golash (shënuan Derk Boerrigter dhe Kiki Musampa) të “Harkëtarëve).

Golat e Gregory Vignal, Djibril Cisse, Nabil El Zhar dhe Torres vulosën fitoren 4-2 për ekipin vendas.

Në janar të këtij viti, Eriksson tha se kishte kancer në pankreas dhe se ishte i paoperueshëm.

“Në rastin më të mirë, kam ndoshta një vit jetë, në rastin më të keq, ndoshta më pak”.

Eriksson pati një karrierë të gjatë, duke fituar kampionate në Itali, Portugali dhe Suedi.

Ai ishte trajner i Anglisë në vitet 2001-2006.