Sanchez pas fitores me Shqipërinë: Kam luajtur pak ndeshje, është e vështirë të rikthehem në formë

Kombëtarja jonë u mund 0-3 nga përfaqësuesja e Kilit të premten në mbrëmje, dhe një nga lojtarët më të dalluar të ndeshjes, ishte Aleksis Sançez.

Lojtari i Interit dha një intervistë për një media kiliane pas përfundimit të ndeshjes, ku foli pak për formën që po kalon ai personalisht në këto momente.

“E vërteta është se kam luajtur pak ndeshje, kështu që është e vështirë të rikthehem në formë të mirë fizike.

Tani do të luajmë kundër nën kampionëve të botës, jemi të lumtur që përballemi me një rival të rëndësishëm.

Le të shpresojmë të jemi kundërshtarë të denjë për një ekip të këtij niveli”,- tha Sançez për “ChileVizion”.

Kili pasi mundi Shqipërinë në Parma të Italisë, do të udhëtojë drejt Marsejës, ku do të përballet me Francën në “Velodrome”, më 26 mars.