Lamallari: Vlerësimet e KE mbi ecurinë e reformave nxisin përparim të mëtejshëm

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se në Komisionin Evropian u paraqit me sukses në Nënkomitetin e 15-të të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë përparimi i bërë nga vendi ynë në fusha kyçe, si menaxhimi i sigurt i kufijve, lufta kundër krimit të organizuar, drogave dhe pastrimit të parave, si dhe koordinimi efektiv kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Vlerësimet dhe rekomandimet e Komisionit Europian mbi ecurinë e reformave dhe nismave për sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës njohin dhe nxisin përparimin e mëtejshëm në rrugëtimin drejt familjes evropiane”, vijoi ai.

Takimi i Nënkomitetit të 15-të të Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian nisi ditën e djeshme, kur ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni paraqiti progresin e Shqipërisë mbi ecurinë e reformave në fusha jetike.