Goditi për vdekje me grusht Armando Meshaun, dënohet me 3 vite burg djali i anëtares së KLP-së
Rei Meta, autori i vrasjes me grusht të Armando Meshaut është dënuar ditën e sotme me 3 vite burg.
Autorit i është pranuar akuza ” vrasje nga pakujdesia” neni 85 , atë që kërkoi prokurori Arjan Xhaferraj ndërkohë që është dënuar me 3 vite nga gjykatësja Dorina Stroka.
Prokurori kërkoi 3 vjet e 6 muaj dhe gjykatësja e dënoi me 3 vite.
Familjarët e Meshaut kanë kërkuar që ndaj tij të ishte vrasje me dashje por kjo është rrëzuar.
I pranishëm në sallë përveç avokatëve e Rei Metës ishte dhe babai i autorit.
Autori nuk ka qenë i pranishëm në sallë pasi sipas avokatëve kishte probleme shëndetësore.
Kujtojmë që Rei Meta është djali i anëtares së KLP-së, Nurihan Seiti (Meta).

Ngjarja:
Ngjarja ka ndodhur ne gusht te vitit te kaluar, kur viktima dhe 33-vjeçari Rei Meta kanë dalë nga një qendër noterie dhe më pas janë futur në qendrën e internetit, ku ndodhi edhe krimi, për të printuar disa dokumente.
Por Armando Meshau dyshohet se nuk e kishte dokumentin me vete dhe këtu ka nisur konflikti mes tyre.
Teksa po diskutonin me njëri-tjetrin, viktima ka folur me tone të larta dhe autori i është kundërpërgjigjur duke i thënë: “mos më ngri zërin” dhe më pas situata ka agravuar.
55-vjeçari mësohet se e ka ofenduar dhe më pas Rei Meta e ka goditur me grushte.
Ngjarja është regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë, ndërsa diskutimi mes tyre është dëgjuar edhe nga personat e pranishëm.
