Zi te Fiorentina, ndërron jetë Drejtori i Përgjithshëm Joe Barone

Zi në klubin e Fiorentinës. Drejtori i Përgjithshëm Joe Barone ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, pas dy ditësh në terapi intensive në repartin e kardio-kirurgjisë në një klinikë të njohur në Milano.

Barone pësoi një atak kardiak në një hotel në Bergamo, pak orë para ndeshjes mes Atalantës dhe Fiorentinës, e cila më pas u shty nga Liga e Serisë A pikërisht për shkak të gjendjes shëndetësore të administratorit të klubit vjollcë.

57-vjeçari u transportua me helikopter drejt klinikës në Milano, ku kreu edhe një ndërhyrje kirurgjikale dhe pas dy ditësh në gjendje kritike, mbylli sytë pasditen e të martës.

Joe Barone do të festonte ditëlindjen e 58 pikërisht të mërkurën e 20 marsit, teksa në krahë te tij në momentet e fundit të jetës ishin bashkëshortja, katër fëmijët dhe nipi 11-vjeçar, si dhe disa përfaqësues nga klubi i Fiorentinës.

Edhe klubi vjollcë ka reaguar nëpërmjet një komunikate zyrtare për vdekjen e Barones, ku shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta dhe ngushëllime për familjarët e tij.