"Legjenda" Capello: Humbja ndaj Interit la pasoja te Juvja, nuk ka Mbappe në ekip
Juventus ka pësuar një rënie të madhe në javët e fundit të Serie A, me bardhezinjtë që regjistrojnë vetëm një fitore në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit, duke humbur edhe vendin e dytë në klasifikim.
Fabio Capello duke folur për situatën e bardhezinjve thekson se jo për gjithçka duhet fajësuar Allegri pasi sipas Capellos, Juventusit i mungojnë lojtarët cilësorë.
“Përballja me Inter i tregoi lojtarëve të Juventus diferencat e vërteta. Pavarësisht se ndeshja u mbyll 1-0 në fushë kishte shumë diferencë dhe pas asaj sfide, futbollistët e Juventus humbën përqendrimin dhe adrenalinën.
Tani Juventus pëson shumë dhe unë mendoj se problemi i tyre nuk është sulmi apo fakti që Allegri nuk luan me tre sulmues. Problemi i vërtetë është mbrojtja dhe kualiteti i pakët në organikë.
Allegri nuk ka as Mbappe dhe as Vinicius Junior në sulm për të shënuar gola dhe për të marrë pikët. Nëse Allegri këmbëngul te 3-5-2, do të thotë se ajo është skema më e mirë për momentin dhe që i ofron më shumë ekuilibër. Çdo trajner bën më të mirën për skuadrën e tij”, u shpreh Capello.

