Kombëtarja zhvillon stërvitjen e radhës në Tiranë, mungon Uzuni. Tifozët futen me forcë dhe kërkojnë biletat

Kombëtarja e futbollit ka zbritur në fushë pasditen e së martës për të zhvilluar përgatitjet e dy miqësoreve të marsit.

Myrto Uzuni ishte lojtari i vetëm që nuk u bashkua në stërvitje me grupin, kjo duke marrë një masazh të muskujve veçmas ekipit.

25 lojtarët e tjerë kanë qenë nën urdhërat e Sylvinhos, teksa Laçi dhe Aliji u afruan së fundmi.

Disa tifozë të grupimit 'Illyrian Elite' kanë befasuar sot duke u paraqitur ne stërvitjen e Kombëtares në "Shtëpinë e Futbollit".

Edhe pse në fillim patën një përplasje me forcat security ata kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të shfaqur mbështetjen e tyre për disa minuta, ndërsa kanë përfituar edhe nga rasti për të thumbuar, teksa në një banderolë shkruhej "ku janë biletat tona?".

Kjo i referohet mungesës së biletave për në Euro 2024 dhe kërkesave të shumta nga tifozët.

Dje ekipi është bërë bashkë dhe ka zhvilluar stërvitjen e parë, teksa këtë të martë braziliani do ketë mundësinë për të parë formën e lojtarëve.

Kuqezinjtë kanë dy miqësore përpara, ajo kundër Kilit të premte në Parma (19:00) dhe kundër Suedisë në Stockholm më 25 mars në orën 21:00.

Duelet vijnë në një kohë kur ekipi ynë është me mendjen për në Gjermani, teksa do jetë pjesë e grupit B të Euro 2024 dhe rivalë do ketë emra si Italia, Spanja apo Kroacia.