Minutat e legjionarëve/ Gjimshiti i palodhur në Seria A, Asani ende në “bokse”

Futbollistët e kombëtares kuqezi kërkojnë që të sigurojnë një nga 23 biletat që ka Sylvinho për në finalet e Gjermanisë. Situata nuk duket fort e mirë për një pjesë të kuqezinjve që në vitin 2024 nuk kanë patur shumë hapësira.

Porta është reparti më delikat, pasi si Tomas Strakosha, edhe Etrit Berisha nuk po gjejnë vend tek Brentford dhe Empoli. I vetmi që luan është Elhan Kastrati, i cili angazhohet me Cittadella në Serie B.

Portieri hasian ka luajtur në 9 ndeshje këtë edicion, ndërkohë që Strakosha është angazhuar vetëm në FA Cup. Ky i fundit në 2024 nuk ka zbritur në fushë në Premier League.

Ndërkohë, në linjën e mbrojtjes vetëm një pjesë e lojtarëve kuqezi kanë statusin e titullarit të padiskutueshëm. Rekordmen është kapiteni Berat Gjimshiti, i cili ka luajtur 1260 minuta në total gjatë këtij viti me Atalantën në Itali. Pas tij është Ivan Balliu që luan rregullisht në La Liga tek Rayo Vallecano.

Pas tyre vijnë Enea Mihaj dhe Jon Mersinaj që kanë mjaftueshëm minuta në Portugali dhe Kroaci. Ardian Ismajli po ashtu luan rregullisht tek Empoli, por dëmtimet e kanë penalizuar të humbasë disa ndeshje gjatë këtij viti. Frederic Veseli ndërkohë luan në Turqi, ndërsa protagonist është dhe Arlind Ajeti tej Cluj.

Në Rusi kampionati sapo ka nisur dhe minutazhi për Mario Mitajn është i kufizuar. Situata nuk është shumë e qëndrueshme për Elseid Hysajn që ka vetëm 268 minuta me Lazion gjatë 2024-ës. Nga ana tjetër Naser Aliji rikthehet në kombëtare me 312 minuta në këmbë. Marash Kumbulla sapo është rikthyer nga dëmtimi dhe ka koleksionuar vetëm 22 minuta tek Sassuolo.

Sa u takon mesfushorëve, Ylber Ramadani është rekordmen i padiskutueshëm. Ai ka luajtur 878 minuta këtë vit me Leccen në Serie A, ndërsa pas tij është Qazim Laçi me 819 minuta tek Sparta Prague në Çeki. Nedim Bajrami nuk ka vazhdimësi te Sassuolo dhe ka marrë 598 minuta. I katërti në listë është Keidi Bare, i cili në ligën e dytë spanjolle numëron 516 minuta.

Klaus Gjasula po ashtu gjen hapësira tek Darmastadt, ku ka luajtur 469 minuta. I fundit në listë është Kristjan Asllani, i cili numëron 418 minuta me Interin, një nga skuadrat më të forta në botë. Në sulm konkurrenca është tepër e madhe, teksa pas shumë muajsh u rikthye Rey Manaj, i cili është dhe rekordmeni i minutave në këtë vit kalendarik.

Lushnjari ka koleksionuar plot 1017 minuta me Sivasspor në Turqi, duke qenë lojtari i dytë me më shumë minuta pas Gjimshitit. Pas tij është prurja më e re, me Arbër Hoxhën që me fanellën e Dinamo Zagreb ka luajtur 841 minuta. Nuk mbetet pas as Ernest Muçi, i cili ka luajtur 841 minuta mes Legias dhe Besiktasit, ku u transferua në dimër.

Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni gjithashtu aktivizohen rregullisht në skuadrat e tyre, respektivisht në Turqi me Konyaspor dhe Granada në La Liga. Në vijim janë Arbnor Muja me 550 minuta, ndjekur nga Taulant Seferi që ka koleksionuar gjatë këtij vitit 390 minuta.

Në Rusi kampionati sa ka nisur dhe Mirlind Daku ka luajtur vetëm 360 minuta, ndërkohë që pak angazhim ka patur dhe Arbnor Muçolli. Armando Broja vjen me 297 minuta mes Chelseat dhe Fulham. Në fund është Jasir Asani, i cili ende nuk ka nisur të luajë në kampionatin korean, që sapo ka startuar. /Marrë nga Supersport