Xhixho: Degët prioritare po shkojnë drejt mbylljes, rrezikojmë të mbetemi pa mësues

Nënkryetarja dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho foli sot në Komisionin e Ligjeve në lidhje me marrëveshjen me Kosovën, e cila sipas saj, duhet të shërbejë si model për politikat arsimore.

“Arsimi në Shqipëri është plaga më e madhe aktualisht. Qeveria nuk i ka mbështetur asnjëherë studentët, por ka gjetur mënyra t’i mbajë në vend me detyrim, siç bëri me studentët e mjekësisë disa muaj më parë”, u shpreh Xhixho.

Ajo u ndal tek vendimi që studentët e degëve prioritare do të trajtohen me bursa në masën e një page minimale, pa asnjë kriter mesatareje.

“Qeveria ia doli të zgjojë interesin e shumë të rinjve për këto degë, për t’i braktisur vetëm pak muaj pas nisjes së vitit akademik.

VKM e qershorit 2023 është shkelur me të dy këmbët nga vetë qeveria, e cila ka ndryshuar rregullat pasi siguroi se degët prioritare nuk do të mbylleshin.

Nga 346 studentë të Universitetit Bujqësor, që prisnin të përfitonin nga VKM e qeverisë për bursat, kanë përfituar vetëm 80! Kjo sepse krejt papritur, qeveria vendosi të vendosë kriter mesataren”, u shpreh Xhixho.

Xhixho ngriti shqetësimin se Shqipëria rrezikon të mbetet pa mësues.

“Degët prioritare si mësuesia, që sot ka vetëm 7 studentë në Fizikë, po shkojnë drejt mbylljes.

Interesi për t’u bërë mësues është i ulët, sepse pagat e mësuesve janë po ashtu të ulëta.

159 mësues matematike mungojnë sot në sistemin 9-vjeçar dhe të mesëm”, tha ajo duke shtuar se një nga arsyet është se buxheti për arsimin në Shqipëri është më i ulëti në rajon, 2.2% e PPB-së, në një kohë kur premtimi i kësaj qeverie në vitin 2013 kaq qenë 5% e PPB-së.