Pas “paqes” kërkohet “Amnistia”, Çuçi: Votohet në seancë. Demokratët: S’ka marrëveshje, PS lejoi atë që shkruhet në Kushtetutë
Pas paqes për dy komisione hetimore, mazhoranca kërkon të gjejë gjuhën me opozitën edhe për amnistinë. Blendi Çuçi ka bërë të ditur se falja në burgje miratohet sapo të arrihet dakordësia. Ndërsa komisionet kanë rinisur diskutimet në sallë, si PS dhe demokratët kanë mohuar bisedimet duke shprehur se palët u rikthyen në respektimin e rregullave dhe Kushtetutës. Bojkotin këtë radhë e vazhduan deputetët e Lulzim Bashës
Ndonëse është rikthyer normaliteti në parlament amnistia penale mbetet ende një çështje pezull. Edhe këtë javë partia socialiste nuk do ta dërgojë për votim në seancë plenare.
Socialistët këmbëngulin që votimi të kalojë së bashku me ndryshimet në komisionin e ligjeve ku falja dhe ulja e dënimit përfshin zyrtarët e nivelit të dytë të akuzuar dhe dënuar për mos deklarim të saktë pasurisë dhe formularëve
Gjatë kësaj kohe do të kërkohet të arrihet marrëveshja me të djathtën që tashmë i është rikthyer normalitetit në parlament. ndërsa mësohet se e majta kërkon që pakti të arrihet në seancën e votimit
Në mbledhjen e deputetëve, ku I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Çuçi shprehet se ishte opozita që u kthye në shinat e rregullit ndërsa shton se nuk ka vendim për një nënkomision bipartizan.
“Nuk ka asnjë nënkomision apo strukturë tjetër, thjesht në Komisionin e Ligjeve do të krijohet një mekanizëm dialogu për ligjet me 3/5 dhe ato që kanë lidhje me çështjet e integrimit europian.
Opozita u rikthye andej nga kishte ikur. Ramë dakord të ndryshojmë objektet e komisioneve hetimore në Konferencën e Kryetarëve”, tha Çuçi.
Debatet në Komisione
Edhe Demokratët në diskutimet në komisione, që u zhvendosën në sallë, theksuan se nuk ka as marrëveshje e as negociata. Sipas tyre PS lejoi atë që parashikon Kushtetuta dhe që prej muajsh ua mohoi.
Por ndërsa “Rithemelimi” është kthyer në diskutime, protestën e kanë vijuar demokratët e Bashës.
Deputetët e renditur në krah të tij bojkotuan katër komisionet ku këtë të hënë u diskutuan projektligjet


