Braçe: Vlera e investimit në Sazan me interes, na duhet turizëm gjithëvjetor
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe vlerësoi sot interesin e brandit ndërkombëtar në turizëm për të investuar në ishullin e Sazanit, ndërsa u shpreh se na duhet një turizëm gjithëvjetor.
Duke reaguar lidhur me investimet e pritshme në Sazan, Braçe u shpreh se “Jared Kushner nuk është lajm me interes si dhëndri i Donald Trump”.
Ndërsa vlera e investimit dhe brandi ndërkombëtar i turizmit që do të sjellë ai në Shqipëri, për Braçen, “patjetër që kanë interes”.
“500, 600, 1 miliard dollarë investime të huaja direkte, doemos që vlejnë për ekonominë e këtij vendi. ‘Aman Resort’, brandi ndërkombëtar i turizmit luksoz e superluksoz që kërkon të sjellë një strukturë në këtë vend, prej 35 vitesh është në të gjithë botën, së fundi edhe duke eksperimentuar me çmime më të lira se ato të luksit”, tha Braçe.
Sipas tij, në ishullin e Sazanit që ne duam të zhvillojmë, nuk do na vlejë të imitojmë Santorinin, Mikonos, Kaprin apo Sardenjën.
“Ato janë, nuk i konkurrojmë dot me të ngjashmit e tyre, posaçërisht kur modeli i tyre është stërlodhur. Ne na duhet në Sazan një gjë e jona, autoktone, ekologjike, natyrore dhe si e tillë, ekskluzive”, tha ai.
Braçe theksoi se na duhet një turizëm gjithëvjetor e struktura që mirëpresin njerëzit në çdo muaj të vitit.
“E dyta, modeli i turizmit që kemi zhvilluar deri tani, ndërto për të shitur, e ka ezauruar veten shëmtuar në Palasë, Dhërmi, Hamallaj, Lalëz dhe në njolla të tjera të bregdetit. Nuk vlen më, s’ka më territor për këtë model e këta që e ushtrojnë”, tha Braçe.
