Kontrollet për cilësinë e ushqimit në shkolla, Balla: Policia ndjek çdo ditë zbatimin e masave, denonconi
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, duke sjellë në vëmendje kontrollet e zhvilluara nga Policia e Shtetit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në institucionet arsimore mbi cilësinë e ushqimeve që tregtohet në afërsi të shkollave, u bën thirrje nxënësve, prindërve, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave të denoncojnë çdo rast të dyshuar.
Në një reagim në rrjete sociale, Balla tha se Policia e Shtetit është aty për të garantuar zbatimin e masave të paketës së sigurisë në shkolla.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me AKU, ISHSH ndjek çdo ditë zbatimin e masave që ka në përgjegjësi “Paketa e Sigurisë në Shkolla”.
“U kujtoj nxënësve, mësuesve dhe prindërve të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, me oficerët e Sigurisë në shkolla, psikologët, punonjësit socialë, stafet pedagogjike, për të sinjalizuar çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, në mënyrë që të gjithë së bashku, të bëjmë më të mirën për sigurinë e tyre”, përfundoi Balla mesazhin e tij.